Pesë metra poshtë sipërfaqes së detit, në Norvegji do të hapet restoranti i parë nënujor në Evropë.

Sipas mediave të huaja, ky besohet se do të jetë restoranti më i madh i këtij lloji në botë dhe do të jetë në gjendje për të akomoduar rreth 100 persona.

Ndërtimi është afër përfundimit dhe mysafirët e parë priten tashmë të gjenden aty në prill të këtij viti.

Restoranti që simbolikisht do të quhet “Under” (nën), do të ketë një sipërfaqe prej rreth 500 metra katrorë në tre nivele.

Në hyrje të tij do të vendoset banaku, i cili do të shënojë edhe “kalimin” nga bregu nën oqean.

Në katin e mëposhtëm do të vendoset restorant me tavolina për mysafirët, të vendosura përgjatë dritares, përmes së cilës klientët do të jenë në gjendje për të vëzhguar jetën detare.

Një nga arkitektët Run Grasdal shton se ndërtesa është projektuar që të përballoj të gjitha forcat e detit, duke përfshirë valët e forta që janë tipike në bregdetin jugor të Norvegjisë, ku restoranti është i vendosur.

Siç edhe do të ishte e pritshme, në menynë e restorantit do të ketë ushqim deti, si dhe kërpudha dhe perime. /Telegrafi/