Agron Tufa hedh në gjyq Spartak Brahon

Agron Tufa hedh në gjyq Spartak Brahon

Pas ditësh të tëra akuzash e kundërakuzash me tone të forta, kreu i Institutit të Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit ka hedhur në gjyq deputetin e Partisë Socialiste, Spartak Braho, me akuzën: “Për krime ndaj njerëzimit”.

Pasi kishte postuar një intervistë të dhënë disa ditë më parë mbi këtë çështje, Tufa shkruan se: “Kjo është e fundit që i përgjigjem ‘Çantës së zezë’. Nga ky moment, unë ‘i flak dorezat’…”.

I pyetur nga gazeta “Panorama ”, Tufa nuk ka dashur të shprehet më për këtë çështje, por mësohet se ai i është drejtuar një studioje ligjore, për ta kaluar këtë debat në distancë me Brahon, në kanale ligjore. Dhe nuk bëhet fjalë për “shpifje” apo “prishje të imazhit publik”, por për një akuzë shumë më të rëndë, “për krime kundër njerëzimit”. Debati ka nisur kur Spartak Braho, ish-kreu i Komisionit të Sigurisë Kombëtare, kërkoi në Kuvend shkarkimin e Tufës.

Braho akuzoi Tufën dhe institucionin që ai drejton se po nxijnë Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare dhe se janë kthyer në një seksion të Ballit Kombëtar. Por ky reagim i tij me sa duket ka ardhur për shkak të një botimi të ISKK, i cili në të vërtetë ka dalë në qarkullim 5 vjet më parë. Bëhet fjalë për librin e Çelo Hoxhës, “Krimet e komunistëve”.

Në këtë libër, Hoxha bën përgjegjës të gjithë drejtuesit e formacioneve partizane për krimet e luftës. “Anëtarët e KQ të PKSH-së dhe anëtarët e Shtabit të përgjithshëm kanë përgjegjësi direkte për krimet e Partisë Komuniste dhe të Ushtrisë Nacionalçlirimtare. Ata kanë qenë duke iu referuar ligjit nr.41, anëtarë të strukturave politike dhe ushtarake “që kanë inspiruar, organizuar, urdhëruar, ekzekutuar ose ndihmuar (forcat partizane) në vepra kriminale”.

Drejtuesit e qarkorëve të PKSHsë dhe formacioneve të ndryshme partizane kanë përgjegjësinë e tyre, sipas hierarkisë dhe në varësi të rolit të luajtur në ngjarje të caktuara. Përgjegjësia është individuale, por si bashkëpunëtorë në krim, persona që kanë pasur dijeni për një krim ose për moskallëzim krimi, mund të fajësohen të gjithë partizanët pjesëmarrës në ngjarje”, shkruhet ndër të tjera në këtë libër.

loading...