Piktori i njohur Anastas Kostandini vjen për publikun me ekspozitën personale “Muzgje Arbërore”. Ekspozita hapet në qytetin e  Pogradecit me rastin e vitit jubilar të 550- vjetorit të vdekjes së kryeheroit të kombit shqiptar Gjergj Kastriotit-Skënderbeu. Por e veçanta e saj qëndron në faktin se hapet dhe me rastin e 50- vjetorit të krijimtarisë artistike të piktorit të njohur Anastas Kostadini (Taso). Ekspozita do të hapet më datë 28 nëntor në galerinë e artit  te Qendra Kulturore “Lasgush Poradeci” në qytetin e  Pogradecit dhe do të qëndrojë për publikun deri në 28 janarin e vitit që vjen. “Piktor i Merituar” Anastas Kostandini tregon se viti 1968 shënon dhe fillimin e jetës së tij si artist, ndërsa paraqet dhe tablonë me Skënderbeun realizuar atë vit. “Në vitin 1968 , viti i 500-vjetorit të vdekjes së heroit, vit dhe datë ku fillon dhe jeta ime si piktor . Këtë tablo do ta paraqes në këtë ekspozitë bashkë me një set fotosh dokumente të atij viti. Në atmosferën që u krijua atë vit në qytetin tim ishte mes të tjerash dhe një operetë kushtuar Skënderbeut, realizuar nga gjithë forcat krijuese, profesioniste dhe amatore përmes një sforcoje të jashtëzakonshme për konditat  e kohës.

Emra të njohur për Pogradecin, si Mirosh Mirakaj, Tomi Malo, Ana Luka, etj, krijuan një shfaqje shumë të bukur dhe mjaft të ndjekur për qytetarët. Kurse skulptori dhe piktori Todi Mato realizoi skenografinë dhe modeloi një portret allçi të Skënderbeut. Pikërisht në këtë atmosferë nisa të krijoj dy punimet e mia të para, dukshëm të rëndësishme për artin tim si artist. Mes veprave është dhe tabloja që paraqet një betejë Skënderbejanë që e quajta “Beteja e Torvollit””, pohon Anastas Kostadini “Piktor i Merituar”. Më tej ai tregon se ekspozita e tij është dhe një kujtesë se arti i tij im i lindur dhe i formuar në vendlindje është fort i përbërë nga edukimi kombëtar patriotik si dhe aspirata e fortë për art si në Europën ku jemi. Gjysma e ekspozitës ka piktura në vaj në një frymëzim postromantik nga letërsia e madhe kushtuar Skënderbeut si dhe tentativa për të gjetur një unitet mes lëvizjes dhe realitetit. “Heroi ynë kombëtar përbën krenarinë dhe të vetë artistit, që sheh tek ai babain e kombit dhe zanafillën e vetëdijes. Pjesa tjetër e ekspozitës, prezanton gjithashtu për herë të parë një cikël gravurash në dru nxjerrë prej historisë së Skënderbeut të Fan Nolit. Ato duan të paralelizojnë me gravurat e mjeshtërve gjermanë, që kanë lënë gravurat magjike të shekullit 15 dhe 16”, tregon Kostandini.