Torovica në Lezhë po zbrazet dita-ditës nga banorët e saj. Mungesa e kushteve për një jetesë së paku me standarde mesatare, ka bërë që banorët të mos e mendojnë më dy herë largimin në shtete të tjera të Europës.

Të shumtët kanë kërkuar azil e të tjerë ndihmën e të afërmve që janë stabilizuar vite më parë atje. Banorët thonë se po numërojnë njëri-tjetrin mëngjeseve se kush ka ngarkuar plaçkat dhe është larguar. Ata shprehen se Torovica nuk ka më asnjë shpresë se mund të rregullohet një ditë, ndaj në këto kushte kanë vendosur ta braktisin pas disa dekadash jetesë në të.

Zona e Torovicës mbahet mend si një nga qytezat e zhvilluara dhe me prodhimet bujqësore që mbaheshin qytete e fshatra të tëra të Veriut. Sot, aty shumë shtëpi janë të kyçura dhe 4 mijë banorët e mbetur duan të ikin një ditë e më parë. Gurë që bien nga mali drejt fushës e që rrezikojnë jetë njerëzish. Një rrugë e pakalueshme dhe bujqësia që nuk mbështetet. Vetëm pak shpresë dhe shumë mjerim. Kjo është gjithçka që mund të gjesh në Torovicë të Lezhës, sot i kthyer në një fshat që po tkurret dita-ditës. Është vetëm 15 km larg qytetit dhe banorët po shpërngulen çdo ditë. Shumë shtëpi janë nxjerrë në shitje, ndonëse pak shpresa ka për blerës. “Shtëpia është vënë në shitje vetëm për një motiv, ky vend nuk ngjall shpresë”, thotë Pashk Përgjoni, banor i Torovicës.

Për banorët, këtu çdo gjë është e vështirë. Infrastruktura rrugore nuk u bë kurrë. Ashtu siç janë edhe problemet në furnizimin me energji elektrike, ujin e pijshëm dhe çdo shërbim. “Me një infrastrukturë të tillë, me rrugë që nuk kalon as tanku, me një vend që nuk ka ujin e pijshëm, nuk ka më shpresë. Një ditë po një ditë jo ikin dritat”, thotë një banor. Rruga ka ndikuar shumë, sa të gjithë të rinjtë po largohen.

Azili është zgjedhja e parë e tyre. Çdo mëngjes ata rinumërojnë veten, për të kuptuar se kush iku.

“Këtu, vetëm në këtë pallat, këtë javë kanë ikur 4 familje, me nga 4-5 anëtarë që shkojnë 20. E merr vesh kur tjetri në mëngjes nuk del nga shtëpia. Në 12 të natës ikin prej këtu. Pallati ka 15 hyrje, brenda janë vetëm 3 familje. Pjesa më e madhe kanë ik në Francë, Gjermani, nga sytë këmbët”, thotë një banor që ka mbetur thuajse i vetëm në pallatin e tij.

Sipas tij, as prodhimet nuk shiten, sepse askush nuk shkon për të blerë. Ashtu siç mungon edhe mundësia e punësimit.

“Prodhimet që bëjnë fermerët po t’ua falësh qytetarëve të tjerë nuk vijnë t’i marrin me këtë rrugë që është, jo më t’ua shesësh”, shprehet një fermer. Në Torovicë të Lezhës, zonën hambar për prodhimet bujqësore siç njihej dikur, mungojnë elementet bazë. Një numër i madh banorësh tashmë e ka braktisur. Të tjerë presin rastin, pasi për ta nuk ka shpresë se gjërat do të ndryshojnë. /Panorama