As më shumë dhe as më pak por 55 mijë lekë në muaj rrogë për një shtetas shqiptar do të ishte e mjaftueshme që ai të mos e lërë vendin e tij, por të punojë e të jetojë shëndetshëm. Kjo llogaritje vjen nga Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) sipas së cilës kjo shumë parash do bënte që një shqiptar të bëjë jetë normale në vendin e tij.

Por, çfarë thonë njerëzit në lidhje me këtë llogaritje? “Nuk mjaftojnë edhe kaq para’ për të plotësuar nevojat bazë, për të paguar ujin, dritat, shkollën, taksat, ushqimet, qiranë… Është shumë e bukur për të qenë e vërtetë. Njerëzit do të ikin edhe po të rriten pagat, pasi jashtë ka mundësi. Po ikin polakët në Gjermani, jo më ne”, shprehen qytetarët. Shqipëria ka një pagë minimale prej 240 mijë lekësh të vjetra bruto, duke u renditur e fundit në rajon.