Konflikti i nisur në një lokal në qytetin e Cërrikut mes një grupi të rinjsh ka përfunduar me dy të plagosur. Vëllezërit Eriold dhe Nexhip Balla, 29 dhe 26 vjeç, janë plagosur lehtë me thikë.

Forcat e Policisë vunë në pranga një prej autorëve të ngjarjes, ndërsa janë shpallur në kërkim dy të tjerë. Ngjarja ka ndodhur mesditën e së enjtes, ku dy vëllezërit Balla nga Elbasani kishin shkuar në Cërrik te tre miqtë e tyre.

Por ata janë ndeshur me tre shtetas të tjerë. Dyshohet se debati ka nisur në ambientet e një lokali e pas kësaj tre autorët i kanë zënë pritë shumë pranë një supermarketi në Cërrik dhe pasi janë ndeshur fizikisht, i kanë qëlluar dy vëllezërve me thikë në këmbë dhe në kofshë.

Mësohet se gjithçka ka nisur për shkaqe banale, pasi të rinjtë i janë hakërryer njëri-tjetrit me “çfarë ke që më sheh”. Pak pas konfliktit, Policia identifikoi autorët përmes dëshmisë së dy vëllezërve dhe dëshmitarëve të tjerë.

Mësohet se deri tani është bërë e mundur kapja dhe shoqërimi i një prej autorëve të ngjarjes, ndërsa dy të tjerë janë shpallur në kërkim. “Më datë 26.10.2018, në qytetin e Cërrikut, para një supermarketi, pas një konflikti të çastit mes shtetasve E.B. N.B (vëllezër), dhe N.Ç, S.S, E.B., janë plagosur me mjet prerës (thikë) shtetasit E.B. 29 vjeç dhe N.B., 24 vjeç, banues në Elbasan, të cilët ndodhen në spitalin e Elbasanit nën kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën.

Me marrjen e njoftimit, shërbimet e Policisë Cërrik kanë ndërhyrë menjëherë duke arrestuar në flagrancë njërin prej autorëve të dyshuar, konkretisht shtetasin N.Ç, 28 vjeç.

Forcat e Policisë janë vënë në ndjekje të të dy shtetasve të tjerë, S.S. dhe E.B, të dyshuar si autorë të ngjarjes, ku vijon ndjekja për kapjen e tyre”, bën me dije Policia. Ndërkohë, grupi hetimor po punon për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të kësaj ngjarje.