Një zjarr i madh i vrau dhjetë futbollistë të rinj dhe i lëndoi tre të tjerë në kampin stërvitor të Flamengos, në Rio De Janeiro të Brazilit. Lajmi është konfirmuar edhe nga departamenti lokal i zjarrfikësve.

Tre të lënduarit janë dërguar menjëherë në spital dhe, sipas policisë, zjarri filloi në atë pjesë të kampit stërvitore ku flenë zakonisht futbollistët, transmeton Gazeta Express.

“Zjarri filloi në atë pjesë ku ishin duke fjetur futbollistët. Nuk i kemi identifikuar ende viktimat, mirëpo besohet se ata ishin në gjumë dhe për këtë arsye nuk patën mjaftueshëm kohë për t’u larguar”, ka bërë të ditur zëdhënësi i policisë, Douglas Henaut.

Në një intervistë për Sportv, një punëtor i një kompanie aty afër ka thënë se e kishte dëgjuar një shpërthim rreth orës 5:10 dhe pastaj ishte ndalur energjia elektrike.

Edhe babai i njërit prej të mbijetuarëve ka folur për mediat, pas kësaj ngjarjeje.

“Biri im u zgjua nga tymi, i thirri shokët e tij dhe u arratis. Unë fola me të këtë mëngjes. Ndiejmë pikëllim të thellë për të gjithë djelmoshat e tjerë, të cilët i njihnim”, ka thënë babai i një të mbijetuari.

Sipas informatave të lëshuara nga zjarrfikësit, gjendja tani është nën kontroll.