Politologu dhe pedagogu Afrim Krasniqi ka inkurajuar studentët dhe të rinjtë që i janë bashkuar masivisht protestës së sotme para ministrisë së Arsimit.

Siç është parë edhe nga imazhet që qarkullojnë më media, studentët e universiteteve në Tiranë po zhvillojnë aktualisht protestën më të masive të organizuar prej vitesh në Shqipëri. Me mijëra të rinj janë mbledhur përpara Ministrisë së Arsimit dhe kërkojnë uljen e tarifave të larta që paguajnë në universitete.

Krasniqi shkruan se ndihet krenar që studentët të bashkuar më në fund kanë refuzuar në jenë statistikë.

“Dita më e bukur në Tiranë prej shumë e shumë kohësh. Krenar edhe për studentët e mi që më në fund kanë refuzuar në jenë statistikë pa zë në vendin ku një pakicë oligarkësh drejton me arrogancë duke injoruar parimet demokratike dhe llogaridhënien. Nuk janë studentë “mbetës” por revoltë ndaj politikanëve “mbetës”.

Koha për shkundje të sistemit. Tarifat Ok, duhen hequr dhe me siguri do të hiqen.

Por shumica qytetarë pret dicka më shumë se kaq, heqjen e “tarifave“ që oligarkia politike e ekonomike i ka vendosur Shqipërisë; koha për transparencë, për llogaridhënie, për vetting në universitet, për përgjegjësi të atyre që dështuan reformën dhe sistemin arsimor, për llogaridhënie të politikës – kazan.

Studentë, është dita e juaj dhe sot duhet të jetë vetëm fillimi!”, shkruan Krasniqi.