Skandali për kompaninë “DH Albania”, që ka fituar tenderin prej 18 milionë Eurosh për ndërtimin e lotit të parë të Unazës së Madhe në kryeqytet, është paralajmëruar nga Blendi Fevziu dy javë më parë.

Më 22 Nëntor, në studion e “Opinion” në Tv Klan, po diskutohej pikërisht për projektin e Unazës së Re. Kreu i Autoritetit Rrugor Shqiptar, Afrim Qendro deklaroi publikisht se njëra nga kompanitë që do të ndërtojë këtë lot, është një kompani amerikane.

Ky pohim i tij mori kundërpërgjigjen e menjëhershme të gazetarit dhe drejtuesit të “Opinion”, Blendi Fevziu, i cili tha se në Shqipëri nuk ka një kompani amerikane, ndërsa hodhi dyshime të forta mbi ekzistencën legale të kësaj firme që ka fituar tenderin.

Afrim Qendro: Unë kam bërë një deklaratë zyrtare, po ja u shpjegoj dhe publikisht. Kemi një bashkim kompanish tek nyja te Shqiponja. Një kompani amerikane dhe një kompani shqiptare.

Blendi Fevziu: Ku ka kompani amerikane në Shqipëri? Të gjithë i vënë një emër amerikan. Deri më sot unë s’di ndonjë kompani të huaj!

Madje, kreu i ARRSH ka dalë garant për këtë kompani të dyshimtë, duke thënë se do të ndërtojë një vepër model në zonën e “Shqiponjës”.

Afrim Qendro: Është një kompani e cila mua me dokumente zyrtare më ka ardh.

Blendi Fevziu: Mos është si ai amerikani i ARMO-s?

Afrim Qendro: Unë nuk e di se si do dalë, por di dokumentet zyrtare.

Blendi Fevziu: Që s’do ketë asnjë amerikan aty, dal unë garant!

Afrim Qendro: Unë jam i bindur, po ta bëj deklaratë tani në studio, që kjo vepër, kjo kompani, bashkimi i këtyre dy kompanive do ta mbarojë dhe do jetë një vepër model!

Blendi Fevziu: Padyshim, por që amerikanë s’do ketë ta garantoj unë atë!

Paralajmërimi i gazetarit Blendi Fevziu duket se rezulton i vërtetë. ARRSH pezulloi projektin për lotin e parë, tender që është fituar pikërisht nga kompania “DH Albania” në bashkëpunim me kompaninë shqiptare “Biba X shpk”.

Nga ana tjetër, Prokuroria e Tiranës ka nisur verifikimet për kompaninë “DH Albania”, pasi në media u publikua dokumenti i themelimit të kompanisë, që operon si degë e një kompanie të regjistruar në shtetin Dalaware të Shteteve të Bashkuara të Amerikes, të quajtur “Dunwell Haberman”. Në Qendrën Kombëtare të Biznesit, kompania “DH Albania” ka deklaruar si datë themelimi të kompanisë mëmë vitin 1998, por ky dokument dyshohet se është falsifikuar dhe se kompania është krijuar vetëm 2 muaj para zhvillimit të tenderit për Unazën e Madhe, më 25 Qershor 2018.

Dyshohet të jetë falsifikuar edhe një dokument i dytë, që ka të bëjë me një certifikatë të Sekretarit të Shtetit se kjo firmë nuk i ka detyrime fiskale shtetit. Zëdhënësi i Sekretarit të Shtetit Doug Denison, i tha Zërit të Amerikës, se për certifikatën nuk ka patur asnjë kërkesë nga firma dhe as nuk është lëshuar ndonjë dokument. /tvklan.al