Prej muajsh po flitet për një transferim të disa ndeshjeve të kampionatit spanjoll në territor amerikan, një mënyrë e mirë për të arkëtuar miliona dhe për të shtuar tifozët e La Ligës në Amerikë.

Megjithatë, të shumtë janë ata që protestojnë dhe e shohin si një lëvizje komerciale që vret edhe më shumë një futboll ku paratë po vrasin pak nga pak pasionin e tifozëve dhe ndeshjet po luhen në çdo ditë e në çdo orar, sado i papërshtatshëm.

Tani edhe FIFA merr qëndrimin zyrtar dhe përfundimtar, sepse presidenti Gianni Infantino ka vëne veton, duke folur në një konferencë për shtyp në përfundim të takimit të këshillit drejtues të FIFA-s në Ruanda.

Ndeshja e planifikuar të luhej që këtë sezon në Amerikë, Girona-Barcelona, nuk do të lejohet nga FIFA.

“Pas një kërkese për orientim nga Federat Spanjolle, Futbolli Amerikan dhe konfederata CONCACAF, këshillimi theksoi principin sportiv se ndeshjet zyrtare të një kampionati duhet të luhen brenda territorit të federatës përkatëse”, tha Infantino.

“Këshilli i ka shumë të qarta idetë në lidhje me këtë çështje”, shtoi presidenti i FIFA-s, i cili është treguar i qartë, duke vënë veton kundër ndeshjeve spanjolle në Amerikë.

Deklarata e tij ishte e pritshme dhe presidenti i La Ligës Javier Tevas ka paralajmëruar prej ditësh apel në CAS, për të mundësuar zhvillimin e Girona-Barcelona në Miami në 26 janar.

Këtë vit Spanja luajti Superkupën Barcelona-Sevilla në Marok, por kampionati është histori tjetër dhe një ndeshje e luajtur larg stadiumit ku i takon realisht ndikon direkt në rezultatin e ndeshjes dhe renditjen, ndaj edhe Reali i Madridit ka dalë hapur kundër ndeshjeve në Amerikë.