Kryesia e Partisë Socialiste ka shkarkuar 11 drejtues të PS në rrethe për neglizhencë, mungesë organizimi, mospërmbushje detyrash e objektivash dhe shthurje në ato degë bashkiake ku drejton opozita. Vendimi është marrë në mbledhjen e sotme të kryesisë së drejtuar nga kryetari Edi Rama.

Lajmi u bë publik nga Elisa Spiropali, e cila pas mbledhjes që zgjati më shumë se një orë në selinë rozë njoftoi shkarkimet, ndërsa shtoi se janë bërë për shkak të degradimit të marrëdhënies pushtet lokal-qytetarë.

Ka një degradim të marrëdhënies pushtet lokal-qytetarë dhe po bëhet analizë e punës së drejtorëve dhe e qeverisjes në territor. Ne kemi shkarkuar 11 kryetarë degësh të PS.

Ne nuk kemi opozitë dhe nuk mund të presim lindjen e opozitës që të vendosim gishtin në plagët e qeverisjes lokale apo qendrore ku ka nevojë për ndërhyrje. Drejtuesit politikë do të rrisin prezencën në territor

Elisa Spiropali

Disa nga qytetet ku janë shkarkuar drejtuesit e PS;
Cërrik-Gezim Salla
Selenicë-Nertil Bellaj-njëkohësisht drejtor i AKU-së
Delvinë-Izet Silaj
Memaliaj-Rajmonda Arizi

Kryetari i grupit të PS, Taulant Balla u shpreh se ‘Kryesia mblidhet cdo javë, analizon punën, janë çështje të brendshme’ duke mos dhënë shumë detaje. Ndërkohë që pas deklaratës së Spiropalit, nga selia rozë kanë zbutur tonet duke theksuar se nuk bëhet fjalë për shkarkime, por për propozime për shkarkime.

Në mbledhjen e djeshme të grupit të PS, kryeministri Edi Rama u shpreh se ‘disa drejtorë legena po na nxijnë fytyrën’ duke thirrur urgjent mbledhjen e sotme të Kryesisë që solli shkarkimet. Mbledhja erdhi pas arrestimeve të ish-deputetëve Arben Ndoka dhe Arben Cuko, ky i fundi ish-drejtor i Burgjeve.