Rreth 150 balena janë gjetur të ngordhura ne bregun e detit në Zelandën e Re. Lajmi është bërë i ditur nga autoritetet lokale, të cilat u informuan për tragjedinë nga një turist që po vizitonte ishullin Stewart.

Kur autoritetet mbërritën në ishull, gjysma e balenave kishin ngordhur ndërsa të tjerat ishin ende në jetë, por nuk kishte asnjë mundësi për ti shpëtuar.

“Është e trisht, por mundësitë për ti rikthyer në det ishin zero, vendosëm të procedonim me eutanazi, në mënyrë që të mos i linim të vuanin. Ky vendim na copëtoi zemrën, por nuk kishim zgjidhje tjetër” deklaroi Ren Leppens, përgjegjësi i operacioneve të ruajtjes së kafshëve në ishullin Stewart.

Kjo nuk është hera e parë që në brigjet e Zelandës së Re gjenden balena të ngordhura pasi edhe në të shkuarën, animalistët kanë dhënë alarmin për numrin e lartë të vdekshmërisë së gjitarëve.

Ende nuk dihet se cilat kane qene shkaqet e ngordhjes se balenave.

Balenat e ngordhura i përkasin grupit të balenave të ashtuquajtura pilot, që jetojnë në grupe të mëdha, duke ndjekur njëra-tjetrën.