Vala e ndërtimit të godinave gjigande në Tiranë nuk do të njohë ndalje. Një kompleks i madh dhe luksoz pritet të ndërtohet në Rrugën e Durrësit. Godina e cila është emërtuar “Greenside out” është projektuar nga studio Holandezë JA për llogari të kompanisë shqiptare të ndërtimit Eurocol.

Sipas të dhënave të projektit objekti do të shtrihet në një sipërfaqe 9600 metra katror kur 3000 metra do të përdoren për parking. Godina shtrihet në katër objekte shumëkatëshe të cilat lidhen me njëra- tjetrën në katet e poshtme, duke krijuar një hapësirë në forma rrethore brenda tyre. Në përfundim të saj ajo do të ketë funksion të miksuar me dyqane, banesa dhe zyra luksoze.

Objekti do të ndërtohet në Rrugën e Durrësit, aksi hyrës në kryeqytet në afërsi të qendrës së Kryeqytetit, Sheshit Skënderbe. Godina do të ndërtohet me një sistem të posaçëm të filtrimit të ujit dhe të ajrit përmes fasadave të gjelbëruara.

Tirana, kantier kullash

Tirana është shndërruar së fundmi në një kantier ndërtimi ku mbizotërojnë objektet e luksit në zonën e qendrës. Këto objekte brenda një kohë shkurtër do të rrisin ndjeshëm ofertat në treg për hapësira tregtimi, banesa luksi dhe zyra edhe pse kërkesa nuk po ecën më të njëjtat ritme.

Pritet të nisë puna për një ndërtesë shumëfuksnionale  “Met  Building Tirana“ që do të shërbejë si qendër tregtare me zyra dhe ambiente banimi luksi në qendër të Tiranës ndërmjet ish- Hotel Dajtit dhe Katedrales Katolike.

Pak javë më parë nisi nga ndërtimi një ndërtese e ngjashme ne zonën e Bllokut e cilësuar, “Kubi i Bllokut”, një projekt i arkitektit italian Boeri. Objekti për të cilin tashmë themelet janë hapur do të jetë multifunksional, me hapësira tregtare, bare dhe restorante zyra etj.

Por një seri objektesh luksi janë në proces ndërtimi. Pas disa kohësh pezullimi punimet kanë nisur për objektin 20 katësh në afërsi të qendrës përballë kishës ortodokse, e cilësuar Tirana Forever Green. Objekti tani një karabina zë një sipërfaqe prej më shumë se 12.400 m² dhe do të ketë 20 kate, në të cilat katër nëntokë. Kulla do të këtë 4 nivele parking nëntokësor, hapësira komerciale, dyqane, 7 nivele zyra, 8 nivele banimi dhe një hotel super luksoz me një investim 25 milionë euro.

Gjithashtu kompania Edil Al ka nisur përgatitjet për ndërtimin e “Syrit të Tiranës”. “Eyes of Tirana” është projektuar si një ndërtesë e madhe, 26 kate e lartë. Të dhënat nga projekti bëjnë me dije se propozimi përbëhet nga tre pjesë të godinës që do të përmbajnë apartamente, zyra dhe dyqane që arrijnë në total në 55.444 m². Punimet për ndërtimin e kullës pritet të nisin këtë vit.

Punimet kanë nisur edhe për projektit më të madh deri më tani Doën Toën Albania, tek ish parku i lodrave për fëmijë “7 xhuxhat”, një kullë me 40 kate me funksione të ndryshme të ndara sipas kateve ku 2912 m2 të kateve të para do shërbejnë si hapësira komerciale, një investim 100% i grupit Kastrati, pas tërheqjes pak muaj më parë të grupit Balfin. Ne katet që vijojnë do të jenë të lokalizuara ambientet e zyrave me një sipërfaqe prej 21840 m2. Ne katet e sipërme për të ofruar pamjet më të mira nga lartësia e kullës janë pozicionuar banimet me një sipërfaqe rreth 26208 m2./ Monitor