E njohur si “Nata e Shtrigave”, “Nata e të Vdekurve”, etj, kjo festë shënohet më 31 tetor të çdo viti në disa vende të botës e në veçanti në Amerikë. Ajo, edhe në thelb, për nga origjina e historiku, por edhe ne ambalazh, për nga ritet e natyra festive, nuk paraqet asgjë me tepër se një prapambeturi kulturore dhe shpirtërore. Më keq edhe se kjo tingëllojnë veshjet e rrobave me forma e figura djajsh, të cilat sikur ishin e janë një sinjal i paraqitjes “spektakulare” në skenë të sektit më famëkeq në botë, Satanizmit, i cili kohëve të fundit shokoi botën me një ritual djallëzor në Rusi[1].
Ndaj, me plot modesti më duhet të pranoj se kur fillova të hulumtoj për këtë “festë” rashë në një konfuzion përkitazi me vënien e titullit këtij punimi. Sa më shumë që hulumtoja, aq më shumë hamendesha se si një besëtytni aq shumë ka arritur famë në kohën moderne saqë edhe bota e artit një pjesë bukur të madhe kinematografike ia ka kushtuar kësaj ngjarjeje, fatbardhësisht, të rreme. Identifikimi i kësaj kulture “moderne” me këtë dhe besëtytni te shumta si kjo, me përkujtoi vizionarin e madh islam, Abdullah b. Mes’udin, shoqëruesin e Pejgamberit Muhammed, paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të, i cili duke përshkruar protagonistët dhe heronjtë e besëtytnive dhe risive, kishte thënë: «…(të keqen, fitnen) e marrin si traditë, dhe, kur të ndërrohet ajo traditë (e keqe), thonë: Është ndërruar sunneti (tradita profetike)»[2].
Ndonëse tek ne ka filluar te shënohet kjo datë aty-këtu, sidomos në kryeqytetin tonë, të përkrahur ndonjëherë me politikanë, që për vote performojnë edhe besëtytni, këtë artikull e punuam me shpresën më të madhe se, të paktën muslimanët, nuk do të jenë pre dhe viktime e kësaj feste, qe është çdo gjë përveç fetare, morale dhe edukative.
Hallouini dhe domethënia e tij
Hallouini është nata mes 31 tetorit dhe 1 nëntorit që festohet kryesisht në Shtetet e Bashkuara të Amerikës por që kohëve të fundit ka filluar të përhapet me të madhe edhe në Evropë, prej nga e ka edhe burimin. Si fjalë, është e formuar nga togu leksikor “all – hallows – even”[3], që do të thotë “Nata e të gjithë të shenjtëve”[4].
Siç duket, “Nata e të gjithë të shenjtëve”, është një domethënie e cila rrjedh nga All Saint’s Day. Për këtë, pak me gjerësisht, do të flasim tek origjina dhe historiku i kësaj feste.
Quhet edhe “Dita e Frikës”, “Dita e magjistarëve”[5], “Dita e Kudhanave”[6], “Nata e shtrigave” sepse përdoren maska të frikshme[7], “Nata e shenjtë” është quajtur për shkak të festimit të natës përkitazi me njerëzit e shenjtë[8]. Në një mënyrë, Hallouini duket edhe si sinonim apo edhe burim i “Darkës së Lamës” shqiptare.
Duhet pranuar se Hallouini, për shkak të natyrës festive, ka pësuar transformim gjuhësor duke marrë edhe domethënie, të cilat nuk janë fare të vërteta, siç f.v. është domethënia tek shqiptarët e krishtere “Dita e kudhanave” ose thjeshtë “Kudhanat”. Është kjo një fjalë e vjetër e formuar nga kontaminimi i shprehjes “ku’a’dhana” që sipas kësaj mund të quhet edhe “festa e dhuratave”[9]. Po kështu, nxitur nga natyra e kësaj feste, disa Hallouinin e kanë përkthyer si: “Trembja e shpirtrave të këqij”[10].
Simboli më i përhapur për Hallouinin është kungulli me ngjyrë portokalli të ndezur[11].
Origjina dhe historiku
Hallouini është një festë, origjina e së cilës ka përjetuar dy gërshetime të ndryshme kulturore:
1. Gërshetimin pagan-pagan. Hallouini është rit pagan i keltëve. Për keltët pagan natyra gëzonte nder të veçantë, ndërsa dielli ishte zoti i tyre. Kur vinte fundi i stinës së diellit (verës) ata i bënin një nder të veçantë zotit të tyre (diellit), plus kësaj prisnin “stinën e së keqes”, errësirën dhe të ftohtin. Kështu që, për datë caktuan ditët e para të Nëntorit. Në fillim këtë ritual “të shenjtë” e quanin “Samhaën”. Meqë festohej me 1 nëntor, atëherë ajo u ndërlidh me një feste tjetër pagane, më konkretisht me atë romake, “Pomonen”. “Pomon” ishte zoti i dritës (verës) dhe i kopshteve dhe data ishte e njëjtë me datën e “Hallouinit” të keltëve pagan, pra 1 Nëntori[12].
Në të vërtetë, sot kjo festë ka një ndërlidhje edhe me grupin Satanist, si nga burimi, meqë bëhet fjalë për adhurues të diellit, që tërthorazi nënkupton adhurimin e djallit. Mu për këtë, Hallouini është konsideruar si festa e viti të ri për adhuruesit e djallit[13].
2. Gërshetimin pagan-krishterë. Kurse gërshetimi i dyte, pra ai pagan-krishterë, ndërlidhet me shpikjen e të krishterëve festën “Dita e shenjtorëve dhe shpirtrave”. Në vitin 834, Kisha Krishtere Romake, në kuadër të kësaj feste “Hallouinit” dhe “Pomonit” përcaktoi një festë të veten me datë të njëjtë me këto dy festa, dhe e quajti: “All Hallows” (Dita e Shpirtrave). Mënyra e ritualit nuk ndryshoi aspak nga ajo e keltëve pagane në filozofinë e saj; “Të veshurit me rroba të frikshme për t’i trishtuar shpirtrat e këqij”, po vetëm shtoi frymën e veshjes si “engjëj”[14].
Megjithatë, ka nga të krishterët që e kanë refuzuar një gjë të tillë duke përmendur se kjo festë është ekskluzive pagane[15]. Por, faktet dëshmojnë për trashëgiminë e njërës nga tjetra, pra për përzierje të fesë së krishterë me paganizëm. Femi Cakolli, protestant kosovar, në një artikull “31 Tetori: Dita e Reformacionit”, thotë: “Evropa…mbështetet mbi tri shtylla civilizimi (kultura pagane, filozofia greko-romake, religjioni i krishterë)”[16]. Pra, në njëfarë forme flet për praninë e paganizmit në praktikën e tyre.
Pastaj, vet origjina e fjalës Halloween ka ngjyrë katolike. Në traditën katolike, në fakt, shenjtërve i dedikohet një ditë e veçantë në kalendarin Katolik, 1 Nëntori është dita në të cilën festohen të gjithë shenjtërit. Dita i dedikohet “Gjithë Shenjtërve” (në anglisht All Saints’Day) kishte një emërtim të lashtë: All Hallow’s Day[17].
Në realitet, All Saints’ Day, është një feste që me 1 nëntor shënohet në krishterimin perëndimor për hire të të gjithë të shenjtëve, të njohur e të panjohur. Dita vijuese, 2 nëntori, festohet si All Soul’s Day (Dita e tërë shpirtrave). Festimi i saj (All Saints’ Day) daton nga viti 609 ose 610[18]. [19] All Saints’ Day ishte dita e trembëdhjetë e muajit maj, por më vonë, rreth vitit 834, nga emri All Hallow u nxuar Halloween, kurse dita e 13 majit, u transferua më 1 nëntor. Kështu, nga emërtimi i mëparshëm All Hallow që kishte kuptim “krejt i shenjtë” (All Holy), ju shtua prapashtesa “een” që është kontraktim i mbrëmjes gjegjësisht i “natës”[20].
Disa të krishterë, për të mos i ngjarë festës së Samhainit, kanë ndërruar datat e shënimit të kësaj feste. Por ky është vetëm mashtrim ngase nga vet tradita e shënimit të festës kuptojmë së behet fjalë për diç të ngjashme. P.sh.: në Belgjike, Francë, Hungari, Itali, Maltë, Portugali, Spanje, vizitojnë varrezat e të vdekurve të tyre duke iu sjellë lule. Në Poloni, Ceki, Suedi, Finlandë, Slloveni, Sllovaki, Lituani, Kroaci, Austri, Romani, Gjermani, vizitojnë varrezat e të afërmeve dhe iu ndezin qirinj atje[21].
Në popujt e lashtë festimi i ditës së “Gjithë Shenjtërve” fillonte në perëndimin e 31 tetorit dhe për këtë nata përpara 1 Nëntorit quhej “All Hallows’ Eve” (Eve do të thotë prag), por edhe “All Hallows’Even” (Even do të thotë mbrëmje) që shkurtohet në Hallows’Even, pastaj në Hallow-e’en dhe në fund në Halloween[22].
Se ka ngjyrë të krishtere vërteton edhe fakti tjetër se në kremtimin e kësaj feste janë shtresuar përbërës kulturorë të tri rrafsheve të ndryshme, që i përkasin festës pagane kelte të Natës së Vitit të Ri, Ditës së Përkujtimit të të Vdekurve, një zakon që kristianët e trashëguan prej çifutëve, dhe festës kristiane të Të Gjithë Shenjtënve[23].
Po kështu, edhe origjina e “Trick or Treat”, e cila vjen nga koha kur krishterët e parë, në udhëtim nga një fshat në tjetrin, lypnin për një copë bukë “ëmbëlsira e shpirtit”, që nuk ishte gjë tjetër veçse një copë bukë, dëshmon për këtë. Sa më shumë “ëmbëlsira të shpirtit” që arrinte të merrte, aq më shumë lutje ky person premtonte të thoshte për të vdekurit e familjes që i kishte dhënë atij bukën. Në fakt në ato kohë besohej se të vdekurit mund të arrinin në Parajsë jo vetëm nëpërmjet lutjes së të dashurve të afërm, por edhe nga të panjohurit[24]. Ata që e përcjellin Hallouinin e dinë fare mirë se fëmijët vizitojnë shtëpitë që të marrin dhurata.
Këtyre nëse ua shtojmë edhe faktin se zakoni çifutë-kristian i varrezave, shfaqet me improvizimin e varreve pranë oborreve të shtëpive, rrasat e të cilëve mbajnë mbishkrime, pikërisht në këtë festë[25], e cila lidhet shumë me të vdekurit.
Se Hallouini është i krishterë, të paktën në disa rite e ceremoni, dëshmojnë edhe studiues shqiptare, të cilët kur flasin për këtë festë, e cila njihet si “Dita e Kudhanave”, përmendin disa figura që janë pjesë e kësaj feste[26].
Siç përmendëm më parë, kjo feste flet për një paganizëm të qarte, dhe meqë disa të krishtere i mundon ky emër për të mos “njollosur” fenë e tyre “qiellore”, festimin e kësaj feste e konsideruan nder më kontraverset, jo vetëm në Amerike[27] por edhe është cilësuar si një festë që nxit kundërthënie tek të krishterët[28]. Disa prej tyre, e konsiderojnë festën më të shëmtuar të vitit[29].
Këta që e refuzojnë këtë festë, pranojnë se elementet e saja janë mishëruar me traditën krishtere të perëndimorëve, ndaj e cilësojnë si të tillë, duke dëshmuar për këtë edhe me tekste fetare nga Bibla[30]. Ndërkohe ata që festojnë atë, e festojnë më shumë për tu dëfryer se sa që kanë ndonjë motiv fetar, qofte pagan për ta festuar, apo të krishtere për të mos e festuar[31].
Transformimi nga një festë pagane në të krishtere ka ndodhë, sidomos në rite, ku më parë festohej në një kishë ndërsa më vonë në ambiente të hapura, ku në vend të lutjes e sakrificave tani dëfreheshin e frikësonin njëri tjetrin[32].
Edhe pse tradicionalisht, rrënjët i ka nga Evropa dhe shoqëritë e saja të lashta, popullaritetin e fitoi në Amerikë, popullaritet ky që reflekton edhe në shoqëritë evropiane, e edhe në shoqërinë tonë shqiptare. Amerikanët, nga dëshira e madhe për dëfrim, këtë festë e bënë popullore dhe e konsideruan si një manifestim gëzimi, edhe pse e tëra është e veshur me ngjyre frike e trishtimi. Kjo festë arriti famë aq të madhe saqë shënohet edhe në Shtëpinë e Bardhë dhe nga njerëz me famë [33].
Ndoshta ky ka qenë motivi që shtyri disa të argumentojnë se Hallouini nuk ka të bëjë fare me fenë; ajo është vetëm një festë kulturore[34] ndaj edhe kanë punuar në drejtim të internacionalizimit të saj. Me fjalë të tjera, atë e cilësuan si feste të të gjitha feve[35]. Mu për këtë, aspak nuk duhet çuditur kur sheh njerëz tek mbrojnë këtë feste dhe “vlerat” e saj[36].
Origjina e Hallouinit tek shqiptarët
Elemente të kësaj feste janë dëshmuar edhe në vendin tonë. Shuarja e saj kishte ndodhur si shkak i komunizmit dhe raportit të tij me fenë. Festimi i saj, disi është nxitur nga raportet që, historikisht, kanë patur shqiptarët me keltët, të cilët kanë banuar në afërsi të tyre.
Hallouinët shqiptarë njiheshin me emrin “Dita e Kudhanave” ose thjesht Kudhanat, fjalë kjo që është formuar nga kontaminimi i shprehjes ” ku a dhana”, “ku asht dhana”, sikurse janë formuar edhe fjalë të tjera të kësaj natyre si kushtrim, nga kush a trim, etj[37].
Ndonëse ka zëra që kundërshtojnë këtë[38], megjithatë realiteti jone flet për të kundërtën. P.sh. Gjimnazi Loyola në Prizren, gjimnaz ky katolik, në vitin 2006, ndër aktivitetet që kishte bërë ishte edhe shënimi i kësaj feste në konviktin e tyre[39].
Siç duket, identike me Hallounin, është edhe “Darka e Lamës”, feste kjo e “ripërkujtuar” nga presidenti i ndjerë i Kosovës, I. Rugova[40]. Ngjashmëritë e saj me Hallouinin nuk janë të pakta edhe pse protagonistët e Darkës së Lamës nuk veshin rroba shtriganësh e shtrigash…
Se “Darka e Lamës” është pagane dëshmojnë të gjithë ata që e festojnë. Neve nuk do të humbim kohë të diskutojmë se a duhet respektuar çdo trashëgimi a jo, por duam të ndalemi në gjërat që më binden se ajo, nëse jo tërësisht, ne rite e ceremoni, të paktën, në thelb e burim, është e ngjashme me Hallouinin kelt apo Pomonenin romak.
Ngjashmëri në motive. Nëse Hallouini festohej si falënderim për të lashtat dhe korrje shirjet tek keltët, edhe tek ilirët pagan, festohej me motive të tilla.
Ngjashmëri në kohë. Nëse Hallouini festohej në fund të tetorit, edhe Darka e Lëmes festohet në javën e tretë të tetorit.
Ngjashmëri ne doke e zakone. Më lartë cituam se gjeneza e kësaj feste te shqiptarët lidhet me fqinjësinë e tyre me keltët, dhe nëse ilirët, të parët tanë, paskan patur fqinjësi e lidhje me keltët, atëherë kjo festë disi është trashëguar prej tyre.
Miti
Sipas shumicës së studiuesve, origjina e Hallouinit vjen nga Irlanda dhe Skocia e lashtë në periudhën rreth kohës së Krishtit. Banalitetet dhe besëtytnitë që motivuan këtë festë janë vërtet marrëzira e shkuar marrëzirave. Kjo festë, siç është shkruar për të, është transformuar nga natyra e saj pagane në një festë të krishtere[41].
Hallouini është rit pagan, fillet e të cilit zënë mijëra vjet më parë në trevat kelte. Ajo tërësisht bazohet në rituale duke përfshirë shpirtrat e vdekur dhe adhurimin e djallit. Për keltët pagan natyra gëzonte nder të veçantë, ndërsa dielli ishte zoti i tyre. Kur vinte fundi i stinës së diellit (verës) ata i bënin një nder të veçantë zotit të tyre (diellit), plus kësaj prisnin “stinën e së keqes”, errësirën dhe të ftohtin. Kështu që, për date caktuan ditët e para të Nëntorit.
Keltët besonin që në prag të çdo Viti të Ri (31 Tetor) Samhain, Perëndi e Vdekjes, Princ i Errësirës, thërriste pranë vetes shpirtrat e të vdekurve dhe kishin frikë se në atë ditë të gjitha ligjet e hapësirës dhe të kohës të pezulloheshin[42], duke i lejuar botës së shpirtrave të bashkohet me botën e të gjallëve. Keltët besonin se të vdekurit qëndronin në një fushë me rini të përjetshme dhe lumturi që quhej Tir nan Oge dhe mendonin se nganjëherë të vdekurit mund të rrinin së bashku me Zanat në kodrat nga të cilat territori skocez dhe irlandez rrethoheshin.
Në të vërtetë besonin se këta shpirtra dalin për t’i shqetësuar njerëzit[43].
Një legjendë tregon se të gjithë personat e vdekur një vit më parë ktheheshin në tokë natën e 31 tetorit, në kërkim të trupave të rinj për t’i mbajtur për vitin që po vjen. Kështu në fshatra fikej çdo flakadan për të evituar që shpirtrat e këqij të vinin të rrinin. Ky rit qëndron në fikjen e Zjarrit të Shenjtë në altar dhe rindezë Zjarrin e Ri (që simbolizonte ardhjen e Vitit të Ri) në mëngjesin vijues. Në fillim këtë ritual “të shenjtë” e quanin “Samhaën”[44]. Druidët takoheshin në majën e kodrës në një pyll të errët lisash (pemë që konsiderohet e shenjtë) për të ndezur Zjarrin e Ri dhe për të ofruar sakrifica farërash dhe kafshësh. Duke vallëzuar dhe kënduar përreth flakadanit deri në mëngjes, ligjërohej kalimi ndërmjet stinës diellore dhe stinës së errësirës. Viti kelt kishte vetëm këto dy stinë. Për nder të kësaj feste, edhe sot e kësaj dite, mjediset pranë shtëpive dhe brenda tyre zbukurohen me dungat e kashtës së grurit dhe me duajt e kashtës së misrit, me kunguj dhe artikuj të tjerë bujqësorë e blegtoralë.
Kur vinte mëngjesi, druidët sillnin prushin e zjarrit në çdo familje që kujdesej për të rindezur flakadanin e shtëpisë. Të fikësh zjarrin simbolizonte që gjysma e errët e vitit (pra vdekja) vjen papritur ndërsa akti i ndezjes ishte simbol i shpresës dhe i kthimit të jetës, duke i dhëne kështu këtij riti përfaqësimin ciklik të kohës.
Derisa druidët apo “Shenjtorët Keltë”, siç njihen edhe me këtë emër, vallëzonin rreth e rrotull sakrificave/zjarrit, të tjerët dilnin jashtë shtëpive e vënin mbi kokat e tyre gjëra të frikshme për t’i trishtuar shpirtrat e këqij që të mos iu afroheshin shenjtorëve derisa ta mbaronin ritin e tyre[45].
Ky rit, “futja frikë shpirtrave të këqij” më vonë u shndërrua në “Ritual Kryesor”, dhe më pastaj nuk shkonin “shenjtorët keltë” në maje të larta për të sakrifikuar në zjarrë kafshët e bimët por u mjaftoi vetëm veshja me rroba të frikshme dhe vënia në kokë gjëra të shëmtuara. Më tutje, ky ritual mori emrin “Halloween”[46].