Prej ditësh së sotme shqiptarët nuk do të kenë më mundësi të importojnë makina më të vjetra se 10 vite. Një masë e tillë thuhet se bëhet për të ulur nivelin e ndotjes, por nga ana tjetër pritet të sjellë vështirësi për familje metë ardhura të pakta ekonomike.

Sot hyn në fuqi ndalimi i bërë nga qeveria shqiptare per makinat më të vjetra se 10 vjet dhe makinave më të mëdha me një moshë mbi 15-vjeçare. Drejtoria e Përgjithshme e Doganave ka njoftuar qytetarët dhe bizneset se ditën e diel hyn në fuqi VKM Nr. 633, datë 26.10.2018 “Për masat kundër ndotjes së ajrit nga shkarkimet e mjeteve motorike dhe reduktimin e shkarkimeve në ajër të ndotësve të gaztë dhe të lëndës së ngurtë pezull nga motorët me ndezje pozitive dhe ata me ndezje me kompresion që djegin gaz natyror apo të lëngshëm për përdorim në automjete”.

Kush lejohet
Ky vendim zbatohet për mjetet motorike të kategorisë M (M1, M2) për transport njerëzish dhe N (N1) për transport mallrash. Me hyrjen në fuqi të këtij vendimi, lejohen të regjistrohen për herë të parë për qarkullim në territorin e Republikës së Shqipërisë, mjetet motorike dhe automjetet, të cilat plotësojnë kushtet e mëposhtme:

  1. a) Autoveturat e reja me zero km dhe që nuk janë regjistruar më parë për qarkullim në asnjë shtet tjetër, të cilat përmbushin normën Euro 5, të Bashkimit Evropian;
  2. b) Mjetet motorike të tjera të reja si motorë, autobusë, kamionë të kategorive M2 dhe N1, me zero km dhe që nuk janë regjistruar më parë për qarkullim në asnjë shtet tjetër, të cilat përmbushin normën Euro 5, të Bashkimit Evropian;
  3. c) Autoveturat e përdorura (të gjitha ato që nuk janë me zero km dhe që janë regjistruar më parë për qarkullim në rrugë në një shtet tjetër, të cilat përmbushin normën Euro 4) duhet të jenë prodhuar jo më shumë se 10 vjet para datës së regjistrimit të parë në Shqipëri;

ç) Mjetet motorike të tjera të përdorura si motorë, autobusë, kamionë, të kategorive M2 dhe N1, (të gjitha ato që nuk janë me zero km dhe që janë regjistruar më parë për qarkullim në rrugë në një shtet tjetër, të cilat përmbushin normën Euro 3) duhet të jenë prodhuar jo më shumë se 15 vjet para datës së regjistrimit të parë në Shqipëri.

Të gjitha makinat e vogla që janë me moshë mbi 10-vjeçare dhe ato të mëdha me një moshë mbi 15-vjeçare do të kthehen nga Dogana dhe nuk do të lejohet hyrja dhe regjistrimi i tyre në Republikën e Shqipërisë.

Kështu, në dhjetor 2018 do të lejohen vetura me vit prodhimi jo më larg se 2008, ndërkohë që për kamionë e autobusë mosha e prodhimit për importim nuk duhet të jetë më larg se 2003-shi. Por, nga 1 janari shifrat ndryshojnë: makinat e vogla duhet të jenë më vit prodhimi jo më larg se 2009-a dhe ato të mëdha për transport njerëzish e mallrash jo me të vjetra se viti 2004.

Përjashtime
Ky vendim nuk zbatohet për importin e automjeteve të hershme me interes historik dhe koleksionimi, siç janë: automjetet e prodhuara deri në dhjetor 1970; automjetet e prezantuara si model i prodhimit deri më 31 dhjetor 1970, pavarësisht vitit aktual të prodhimit të një automjeti të veçantë; automjetet, të cilat paraqesin vlera teknike muzeale apo kulturore, trashëgimi tradicionale dhe sociale. Po kështu, nuk zbatohet për importin e mjeteve motorike, të cilat janë të importuara nga subjekte fizike e juridike, me qëllim ndihmën humanitare, në përputhje me legjislacionin kombëtar që rregullon donacionet dhe ndihmat humanitare. Vendimi i Këshillit të Ministrave që hyn në fuqi 30 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare, pra nga data 2 dhjetor 2018.