Kryeministri Edi Rama është ballafaquar sot me një situatë aspak të këndshme. Teksa merrte pjesë në një takim me maturantët ekselent në hotel “Tirana”, një grup studentësh pjesë e Lëvizjes për Universitetin, janë futur në sallë dhe kanë akuzuar qeverinë se me politikat e saja ndaj arsimit të lartë po zhvat studentët. Siç shihet edhe nga video aktivistët janë nxjerrë më pas nga forcat e sigurisë së kryeministrit, ndërsa vet Rama ka vijuar fjalën e tij i pa shqetësuar për atë që po ndodhte në sallë.

 

Në takimin e sotëm të kryeministrit Rama me studentët, profesorët dhe dekanët, ku u përsëritën si zakonisht gënjeshtrat e ulëta në lidhje me arsimin e lartë, një grup prej aktivistëve tanë shpalosën banderolën: “Boll i zhvatët studentët”.

 

Për fat të keq, banderola u shqye nga rinia partiake ndërsa aktivistët u nxorën me forcë jashtë sallës së konferencës, në praninë e heshtur të drejtuesve të universitetit publik. Një student u shoqërua në komisariatin nr. 3 për t’ia fshirë filmimet jashtë çdo norme ligjore.

 

Ne u bëjmë thirrje studentëve dhe drejtuesve të universitetit publik të mos i nënshtrohen shantazhit të qeverisë por të gjejnë guximin për të reaguar kundër zhvatjes dhe për t’u bashkuar në rrugë këtë vjeshtë, kundër tarifave dhe për demokraci në universitet.