Euro ka rikuperuar në pozitë kundrejt lekut gjatë ditës së sotme.

Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë një euro është këmbyer në nivelin e 125.06 lekëve, rreth 0.12 pikë më shumë se një ditë më parë.

Prej së martës, monedha e përbashkët ka fituar rreth 0.51 pikë përkundrejt lekut, megjithatë euro u zhvlerësua me gati 1.35 lekë gjatë muajit tetor.

Ekspertët e këmbimit valutor dhanë si arsye kryesore qarkullimin e ulët të lekut në ekonomi dhe volumet e ulëta tregtare, të cilat kishin tkurrur dhe kërkesën për valutë në vend. Nënçmimin e euros në vend e ndihmoi edhe rënia në bursat ndërkombëtare.

Megjithatë gjatë ditës së sotme, euro ka rikuperuar dhe në tregjet ndërkombëtare, gjë e cila ka ndihmuar edhe në  forcimin e euros në vend. Sipas Financial Times, një euro është këmbyer sot në nivelin e 1.14 dollarëve, duke rikuperuar nga ditë më parë kur këmbehej nën 1.13 dollarë.