Gazetari Ylli Rakipi është kërcënuar me jetë.

Ai ka marrë mesazhë kërcënuese, dhe kjo besohet se vjen pas skandalit në lidhje me kompaninë fantazmë në Unazën e re.

Pikërisht për këtë ka reaguar Autoriteti i Medias Audiovizive.

REAGIMI I AMA

Kërcënimi ndaj Ylli Rakipit, rast i përsëritur i presionit ndaj gazetarëve në detyrë

Autoriteti i Mediave Audiovizive, AMA po përcjell me shumë shqetësim lajmet për kërcënimet serioze që ka marrë drejtuesi i programit të njohur televiziv “Të paekspozuarit”, z. Ylli Rakipi.

Si një rast i përsëritur i presionit në forma të ndryshme ndaj gazetarëve në detyrë, AMA dënon çdo përpjekje që cënon dhe rrezikon fjalën e lirë dhe integritetin e angazhimit të komunitetit të medias.

AMA solidarizohet me z. Rakipi dhe apelon për autoritetet, që menjëherë të zbardhin rrethanat dhe të venë para përgjegjësisë ligjore fajtorët e këtij akti të rëndë, si dhe të garantojnë një klimë të sigurtë dhe normale për redaksitë dhe gazetarët në ushtrimin e detyrës dhe misionit të tyre për të informuar publikun.