Mariam Raxhavi, Presidentja e zgjedhur e Këshillit Kombëtar të Rezistencës së Iranit e ka pershendetur debimin e Ambasadorit të regjimit iranian dhe të shefit të stacionit të Ministrisë së Inteligjencës në Shqipëri.

Ajo e ka cilësuar këtë akt të guximshëm si një hap të nevojshëm për t’iu kundërvënë terrorizmit dhe diktaturës fetare që sundon Iranin, si dhe një domosdoshmëri për sigurinë e vendeve europiane.

Zonja Raxhavi thotë se ambasadori Gholamhossein Mohammadnia dhe Mostafa Roudaki, shefi i stacionit të Ministrisë së Inteligjencës janë të dy zyrtarë të lartë të MOIS, të cilët u ekspozuan nga Rezistenca Iraniane në vitet 2016 dhe 2017, raporton tch.

Zonja Raxhavi tha se mullahëve që sundojnë Iranin duhet t’u tregohet se “veprimtaritë e tyre terroriste në Europë e në mbarë botën do të kenë pasoja serioze.”

Ajo shtoi se “Që tre dekada më parë, Rezistenca Iraniane e ka theksuar gjithmonë se Ministria e Jashtme e regjimit iranian dhe diplomatët e ambasadat e saj janë pjesë thelbësore e makinerisë së terrorizmit të regjimit. Tre komplote të mëdha terroriste nga mullahët në Shqipëri në mars 2018, në Francë në qershor 2018, dhe në Danimarkë në shtator 2018 kanë qenë të planifikuara nga këto ambasada e diplomatë”, thekson ajo.