Mbrëmjen e kaluar në Kavala në Greqi u ekzekutua me armë zjarri një i ri shqiptar Marios Isa nga Leskoviku.

Burime nga policia greke bëjnë me dije se 18-vjecari shqiptar është qëlluar me dy plumba pas shpine.

Mediat greke kanë zbardhur detaje nga ngjarja dhe nga familja shqiptare e viktimës. Mësohet se babai i Marios është punëtor në ndërtim, ndërsa e ëma punon në piceri.

I riu shqiptar ishte rritur në Kavala, ku kishte ndjekur gjimnazin dhe më pas kishte nisur të lartën. Prindërit e tij shkuan menjëherë në Departamentin e Policisë në Kavala për të dëshmuar.

Shqiptari aktivizohej me ekipin e futbollit të Heracles në Kavala. Afër ngjarjes, në një bllok ndërtesash private, policia arriti të gjejë armën e përdorur për vrasje.

Viktima kishte një sasi të madhe parash me vete në momentin që është qëlluar dhe dyshohet se paratë që kishte në dorë ishin për ndonjë shkëmbim. Mediat greke shkruajnë se shqiptari mund të jetë ekzekutuar nga një qitës profesionist.