Greqia tërhiqet nga zgjerimi i vijës kufitare. Burime të sigurta diplomatike kanë bërë me dije për Top Channel mbrëmjen e së martës se Athina ka ndryshuar qëndrim lidhur me shpalljen e zgjerimit të vijës së saj bregdetare nga 6 në 12 milje.

Ka qenë një vendim i marrë pas një mbledhje me dyer të mbyllura që ministri i jashtëm dhe njëkohësisht edhe kryeministër i vendit, Aleksis Tsipras, me stafin më të lartë politik të kësaj ministrie, si dhe diplomatë të lartë në vendin fqinj.

Burimet sqaruan se ky vendim i Athinës zyrtare u mor pasi, sipas kryeministrit, përpara se të kërkojë prej presidentit të firmose dekretin për një çështje kaq madhore siç është zgjerimi i sovranitetit në Jon edhe Egje, duhet më parë që të informohen edhe liderët e partive parlamentare, si dhe të ketë konsultime me presidentin.

Jo zyrtarisht,thuhet se ky vendim i anunçuar prej ministrit në ikje Nikos Kotzias tre ditë më parë, gjatë ceremonisë së dorëzimit të portofolit ministror, tek pasuesi i tij, Aleksis Tsipras, ka shqetësuar SHBA, por edhe Turqinë.

Mësohet se pala amerikane ka kërkuar anulimin e këtij vendimi, ndërsa më herët ministri i jashtëm turk Mevlit Çaushoglu, deklaroi se çdo veprim i Athinës për zgjerim të vijës së saj bregdetare, në Jon ose Egje, do të përbëjë për të, “Casus Belli” (shkak për luftë).

Lidhur me këtë çështje, nuk ka patur asnjë reagim nga pala shqiptare, e cila tre ditë më parë kishte pohuar se zgjerimi i vijës bregdetare mes Greqisë dhe Shqipërisë, është e drejtë e të dy vendeve, dhe se ajo mund të shtrihej në zonat ku kjo do të ishte e mundur.