Kuvendi i Shqipërisë miratoi ligjin për ndalimin e pijeve energjike dhe të gazuara që përmbajnë sheqer të shtuar për të miturit deri në 18-vjeç.

Në projektligj shkruhet se “qëllimi i ligjit” riformulohet në këtë mënyrë…

“Ky ligj ka si qëllim parandalimin e pasojave shëndetësore nga konsumi i alkoolit, pijeve energjike dhe pijeve të gazuara që përmbajnë sheqer të shtuar nëpërmjet përdorimit të tyre nga të miturit.”

Në nenin 3 të projektligjit shkruhet se do të bëhen ndryshime në nenin 2 të ligjit aktual. Në paragrafin e parë të nenit 2 shtohen fjalët “dhe pijeve energjike” pas fjalëve “të pijeve alkoolike”. Ndërsa në paragrafin e dytë të po këtij neni, përcaktohet se çfarë quhet një pije energjike dhe pije e gazuar me sheqer të shtuar.

Sipas projektligjit, “pije energjike” konsiderohen ato pije joalkoolike, në të cilat përmbajtja totale e kafeinës tejkalon sasinë 150mg/l dhe që në përbërje të tyre kanë të paktën një ose më shumë substanca stimuluese ose tonike të tilla si: taurinë, D-glukuronon y-lakton, guaranë, maltodekstrin, xhensen, karnitinë, kreatinë dhe gingko biloba.”

Lista e pijeve

Gjithashtu, “pije të gazuara që përmbajnë sheqer të shtuar” konsiderohen ato pije jo-alkoolike, të gazuara që përmbajnë sheqer, agjentë të tjerë ëmbëltues apo aromatizuese, natyral apo artificial, si dhe acid ushqimor, përjashto ujin mineral dhe ujërat e gazuar, lëngjet e frutave dhe pijet e bëra me qumësht ose produktet e qumështit.”

Me pak fjalë, ligji i ri ndalon çdo individ nën moshën 18 vjeç të konsumojë Coca Cola, Pepsi, Sprite, Fanta, Red Bull apo të tjera pije freskuese dhe energjike.

Megjithatë, sipas parametrave të përcaktuar në paragrafët e rinj të shtuar, një i ri nën moshën 18 vjeç nuk mund të konsumojë as makiato, çaj të zi, çaj jeshil apo kafe përveç pijeve energjike dhe të gazuara me sheqer të shtuar. Kjo sepse të gjitha pijet e lartpërmendura e tejkalojnë normën 150 mg/l kafeinë.

Me një kërkim të thjeshtë në internet vërtetohet se sa kafeinë përmban një filxhan 250 ml makiato, kafe, çaj të zi, çaj jeshil, pije energjike dhe Coca Cola.

Makiato 113-280 mg

Kafe 60-70 mg

Çaj i zi 30-50 mg

Çaj jeshil 30-50 mg

Pije energjike 80 mg

Cola 36-48 mg

Sipas ligjit, edhe reklamat e këtyre pijeve energjike apo të gazuara me sheqer të shtuar do të ndalohen. Reklama ikonike e përvitshme e Coca Colës me Babagjyshin e Vitit të Ri në prag festash, nuk do të transmetohet më.

Në të gjitha tabelat paralajmëruese, do të shtohet “dhe i pijeve energjike dhe të gazuara me sheqer të shtuar” pas fjalëve “Ndalohet nën moshën 18 vjeç konsumi i alkoolit”.