Partia Socialiste do shkarkojë të gjithë kryetarët e degëve të saj në rang bashkie që kanë punuar keq. Propozimi është bërë dje gjatë mbledhjes së përbashkët të Kryesisë së PS-së dhe grupit parlamentar, ku i pranishëm ishte edhe kryeministri Edi Rama.

Propozimi është bërë i njohur për mediat pas mble-dhjes nga zëdhënësja e kryesisë së kësaj force, Elisa Spiropali, e cila në fakt e bëri këtë fakt të kryer, duke deklaruar shkarkimin e 11 krerëve të degëve të Partisë Socialiste.

“Në mbledhjen e sotme të kryesisë u shkarkuan 11 kryetarë socialistë. Janë vënë re vonesa të pajustifikueshme në riorganizimin e partisë, në fushatën e anëtarësimeve dhe në degët lokale”, tha Spiropali.

Por, duket se kemi të bëjmë me një lapsus të Spiropalit, pasi menjëherë pas kësaj deklarate, nga selia rozë u qartësua se gjatë mbledhjes së kryesisë nuk ishte marrë vendimi i shkarkimit, por vetëm ishte diskutuar propozimi për shkarkim të 11 kryetarëve të PS-së në nivel bashkie.

Madje, nga zyra e shtypit u bë e ditur se tashmë ky propozim do të diskutohet me drejtuesit politikë të qarqeve si dhe asambletë e rretheve për të vendosur më pas nëse do të vendoset për shkarkimin e tyre ose jo.

Arsyet

Burime nga Kryesia e PS-së bënë të ditur se arsyet e këtij propozimi drastik lidhen me punën e dobët të bërë prej tyre në drejtimin e partisë, sidomos sa i përket përmbushjes së detyrimeve, që lindën nga vendimmarrja e mbledhjes së fundit të Asamblesë Kombëtare. Bëhet fjalë për proceset organizative në kuadër të zgjedhjeve të ardhshme, si dhe fushatën e anëtarësimeve në parti.

Mësohet se ka qenë vetë kryeministri Edi Rama, ai që është ankuar për neglizhencën e socialistëve, përfshi kryetarët e degëve, drejtuesit e pushtetit vendor dhe ka kërkuar nga drejtuesit politik të çdo qarku që të analizojë veprimtarinë e tyre dhe në mënyrë të veçantë atë të drejtorëve lokalë.

“Vihet re një shkëputje nga disa territore. Drejtuesve politikë u është kërkuar që të rrisin prezencën në territor dhe në qarqet që mbulojnë, sidomos në bashkitë që drejtohen nga opozita, ku vihet re një degradim i madh i marrëdhënies së pushtetit lokal me qytetarët”, shtoi Spiropali.

Emrat

Në listën e krerëve të PS-së në nivel bashkie që kanë punuar keq bie në sy se bëhet fjalë për degë partie që në pushtetin vendor drejtohen kryesisht nga Partia Demokratike ose Lëvizja Socialiste për Integrim, ku duket se edhe Partia Socialiste ndihet më e dobët. Listën e kryeson kryetari i PS-së së Shkodrës, Arvit Osja dhe për të vijuar me kryetarin e PS-së në Tropojë, Abedin Katana; kryetarin e PS-së Përmet, Edvin Tuci; atij të Devollit Erold Begolli, atij të Selenicës, Nertil Ballaj apo edhe ai i Cërrikut, Gëzim Salla. Të gjitha këto, bashki që në pushtetin vendor drejtohen nga përfaqësues të PD dhe LSI. Pjesë e listës së kryetarëve që kanë punuar keq janë edhe kryetarët e PS-së në Dibër, Kurbin, Memaliaj, Shijak dhe Ura Vajgurore. Gjithsesi, tashmë verdikti për fatin e këtyre drejtuesve socialistë është në dorë të drejtuesve politikë të qarkut, të cilët do duhet të bëjnë edhe një analizë më të thelluar për të nxjerrë shkaqet e këtyre rezultateve.

‘Statuti’, Neni 31 – Kryetari i partisë së bashkisë

Mandati i kryetarit të partisë së bashkisë si rregull është 4 vjet. Mandati i tij ndërpritet para kohe kur:
Jep dorëheqjen
Shkarkohet nga kryesia e partisë për dobësi në punë e shkelje të normave të statutit.
Nuk fiton në mocion votëbesimi të zhvilluar për të.
Humbet besimin e anëtarësisë dhe të organizatave socialiste të bashkisë dhe shkarkohet prej tyre.
Humbet zgjedhjet vendore, ose arrin rezultat më të dobët se zgjedhjet e mëparshme politike në bashkinë respektive.
Në rastet e mësipërme, mandati ndërpritet automatikisht dhe kryetari qëndron në detyrë deri në zgjedhjen e kryetarit
të ri.

Kryetarët e PS që janë propozuar për t’u shkarkuar

  1. Arvit Osja – Shkodër
  2. Gëzim Salla – Cërrik
  3. Afrim Mikli – Dibër
  4. Agron Ivani – Kurbin
  5. Edvin Tuci – Përmet
  6. Nertil Bellaj – Selenicë
  7. Erold Begolli – Devoll
  8. Edmonda Harizaj – Memaliaj
  9. Abedin Katana – Tropojë
  10. Elton Arbana – Shijak
  11. Arjan Çepele – Ura Vajgurore/GSH.al/