Protestës së banorëve të Unazës së Re, që kundërshtojnë shembjen e banesave pa dëmshpërblim sot i është bashkuar edhe analisti i njohur Fatos Lubonja.

Në fjalën e tij Lubonja u shpreh se ka ardhur në protestë si qytetar, për t’u dhënë kurajë njerëzve, ndërsa e cilësoi projektin si kriminal.

“Duket sheshit që është projekt kriminal. Unë kam ardhur këtu për të materializuar edhe një gjë, që e kam thënë në media, kjo nuk është vetëm një çështje e ‘Astirit’, por e të gjithë popullit shqiptar. Unë kam ardhur si qytetar për të thënë që këtu duhet të jemi të gjithë. Këta njerëz na japin edhe ne kurajë, edhe në duhet t’u japim atyre”, tha Lubonja në fjalën e tij.

Mandej Lubonja rrëfeu historinë e një ekologjisteje dhe aktivisteje amerikane, Julia Hill, e cila u ngjit mbi një pemë për ta mbrojtur nga shkatërrimi dhe ia doli.

“Për t’u sjellë kurajë dua t’u sjell një histori. Një ekologjiste amerikane Julia Hill mbrojti një pemë, jo një shtëpi! Kjo hipi në pemë dhe ndenji dy vjet në pemë, e mbështetur nga populli dhe pema nuk u pre. Ky është një shembull edhe për ju. Kjo është një e keqe shumë e madhe, po s’u bashkuam do të na hanë një nga një. Kjo qeveri po shkon nga krimi në krim në mënyrë galopante. Ky është vetëm fillimi i një të keqe shumë të madhe që na pret. Këta të rinj duhet të mos kenë frikë. Sepse kështu fitohet, shikoni çfarë po bëhet në Francë!”, tha ai.