Sfida spektakolare mes Teutës dhe Partizanit, është mbyllur në barazim 1-1 në Niko Dovana”.

Teuta tenton portën që në fillim me Kamara, por Alban Hoxha do të mposhtej në minutën e tetë nga Gashi, që shndërron në gol me kokë, një top që i erdhi nga goditja e këndit. Festa është për “Djemtë e Detit”, që si kurrë më parë kanë mbushur shkallët e “Niko Dovanës”.

Më pas loja është e gjitha për tu shijuar, ndërsa reshjet e shiut shtojnë dhe më tepër vështirësitë në fushë, lojtarët shtojnë tensionin mes tyre. Në minutën e 24 është Osmani që përplaset me Hilën, duke e kapur këtë të fundit prej fyti, ndërsa mesfushori i Partizanit e godet me grusht në bark.

Isli Hidi do të mposhtej vetëm pjesën e dytë, pas një super aksioni të Asanit në minutën e 60-të  Barazpeshë në fushën e lojës, ndërkohë që të dyja ekipet tashmë hedhin sytë nga kundërsulmet. Partizani sërish me Asanin ka një tjetër mundësi të shkëlqyer për të shënuar, por Isli Hidi bën mrekullinë teksa shpëton portën.

Alban Hoxha është në superformë, teksa i mohon Kamars një gol shtatë minuta para fundit të takimit, e më pas Latif 2 minuta nga fundi. Megjithatë, deri në bilbilin e fundit, shifrat nuk ndryshojnë me të dyja ekipet që i kënaqen një pike, ndërsa tifozët i gëzohen spektaklit.

Barazimi i sotëm e lë Partizanin kryesues me 35 pikë, ndërsa Teuta vijon në vendin e katër me 29 pikë, një më pak se Skënderbeu dhe Kukësi që ndajnë vendin e dytë dhe të tretë me 30 pikë.

Partizani do të luajë kundër Kukësit në ndeshjen e ardhshme, ndërsa Teuta ndaj Kastriotit në Krujë.