Nënat japin shembuj të ndryshëm për fëmijët e tyre. Sado që e dinë mirë se fëmijët nuk janë njëlloj, gjithmonë bëjnë krahasime dhe shohin si ecin fëmijët e tyre krahasuar me të tjerët: hanë më shumë apo më pak, ecin më parë apo më vonë, janë më të shkathët apo më dembelë, lëvizin më shumë apo e më pak e një sërë krahasimesh të tjera, të cilat, në një pjesë të mirë të rasteve, janë pa vend.

Megjithatë, nënat janë gjithmonë të shqetësuara dhe vitet e fundit, edhe për peshën që fëmijët marrin çdo muaj. Është i njohur tashmë fenomeni i obezitetit të lartë te fëmijët në Amerikë, por edhe nëse zbret në Europë, shifrat janë të frikshme drejt rritjes.

Po si i përjetojnë vetë nënat këto raste? Shembulli i mëposhtëm është ai i një nëne të re, e cila, ndihet konfuze herë-herë nga veprimet e vajzës së saj dhe është e shqetësuar për peshën që ajo po merr nga muaji në muaj. Por pasi flet pediatrja, situata ndryshon.

“Gjashtë javë pas lindjes, më në fund arrita të marr një buzëqeshje nga vajza ime e porsalindur. Për më shumë se një muaj, jetoj në një cikël të pafundëm ushqimesh, ndryshimesh të thella dhe pafuqisë. Por kjo buzëqeshje, më në fund, më bëri me krahë, aq sa më vinte t’i thoja të gjithë botës: “Hej, mëmësia qenka një gjë e bukur, sepse të fal kënaqësi.”

Gjithashtu, e pranoj se këto ditë kam ndier edhe një fazë lehtësimi. Kjo “buzëqeshje sociale” (në krahasim nga ajo buzëqeshja e dehur nga qumështi) është një moment shumë i rëndësishëm për të sapolindurit. Në mënyrë të pandërgjegjshme, u shqetësova se ajo nuk do të arrinte të rritej si duhet.

Duke dëgjuar e parë shembuj të panumërt rreth e rrotull meje, mendova se duhet të ndryshoja qëndrim. Por për sa kohë pediatrja e vajzës tha se gjithçka ishte në rrugën e duhur, unë nuk duhet t’i kushtoja vëmendje dyshimit tim dhe duhet të isha e fokusuar te fakti se si po përparonte dhe jo te fakti sa po shtonte në peshë ime bijë.

Po kështu, e dija se duhet të shikoja pikat e rekomanduara dhe nëse duhet të shtoja të tjera në vijimësi. Çdo muaj, do të doja të shihja “mashtrimin” e ri që vajza do të mësonte. Por shqetësimi im i madh ishte sa shumë po shtonte në peshë… Më dukej sikur po bëhej obeze…

Dr. Robin Jacobson, një pediatre në NYU, tha se pretendimet e kësaj nëne janë një qasje e shëndetshme. Sipas saj, nënat janë gjithmonë të shqetësuara për peshën e fëmijës së tyre, por ajo që duhet të kuptojnë dhe të fiksojnë mirë është që fëmijët nuk janë njëlloj. “Burimi më i mirë për të mësuar rreth zhvillimit të fëmijës është pediatri”,- më tha ajo.

Dr. Jacobson pranoi se të gjithë prindërit shqetësohen kur shohin një fëmijë më të vogël se fëmija i tyre që flet ose ecën më mirë. Por prindërit duhet të kuptojnë që të gjithë fëmijët janë të ndryshëm. “Prindërit dëgjojnë shumë për autizmin dhe vonesën e zhvillimit”,- më tha ajo, “por shumica e fëmijëve janë normalë dhe duan të luajnë dhe të argëtohen në një shtëpi të dashur e të lumtur”. Kjo, sipas saj, është më e rëndësishme se pesha e tyre.”

Zakonisht, pediatrit nuk japin receta me gramë dhe as nuk thonë sa duhet të shtojë një fëmijë gjatë një muaji. Ata, zakonisht e “masin” peshën e tyre me jetën e shëndetshme, lëvizjet normale dhe ushqimin e mirë të nënës. Nëse një fëmijë ka disa gramë më pak dhe muajin tjetër disa gramë më shumë, kjo nuk është aq e rëndësishme. Mbi të gjitha, të gjithë fëmijët duhet të kalojnë një proces të shëndetshëm zhvillimi.

Kështu, nëna, qetësohuni! Fëmijët ndryshojnë dhe në këto faza ndryshimi, bashkë me ta, ndryshon edhe pesha.