U ndanë mbrëmjen e sotme Çmimet kombëtare për letërsinë 2017. Si vepra më e mirë letrare për vitin 2017 iu dha shkrimtarit Henrik Spiro Gjoka për librin “Sonatë për gruan e një tjetri”. Ndërsa, vepra letrare më e mirë e vitit e përkthyer iu dha Aida Baros për “Armëpushimi” i Primo Levit. Baro u vlerësua me motivacionin “Për shqipërimin e frymëzuar gjatë përcjelljes së një mesazhi nga shekulli tragjik i ideologjive në një rrëfim dëshmi, ku përjetimi në vend të parë i çnjerëzores kthehet në përjetësim të imperativit etik të njerëzimit”.

Ndërsa Henrik Spiro Gjoka në librin e tij, ka në fokus historinë e një psikiatri, i cili mundohet të vendosë rregull në jetën e pacientëve të tij, ku edhe përfshihet në një histori pasioni, sa të bukur aq edhe të vështirë, sepse bëhet fjalë për gruan e një tjetri.  Gjoka ka shkruar rreth pesë libra në gjuhën shqipe. Prej 30 vitesh jeton në Francë.

“Armëpushimin” e Primo Levit e sjell në shqip Aida Baro. Bëhet fjalë për rrëfimin e një pelegrinazhi në kufijtë e marrëzisë, por të mbushur me energji, përmes jetës që rifillon: një rrëfim i thukët, ku gëlon njëkohësisht ankthi dhe hareja. Udhëtimi i kthimit të Levit dhe shumë italianëve si ai, nga kampi i përqendrimit drejt atdheut zgjati për muaj me radhë, duke i rënë kryq e tërthor Europës së shkatërruar nga lufta.

Baro ka afro 2 dekada që punon në fushën e përkthimit.  Vepra letrare më e mirë e vitit vlerësohet me 500 000 lekë. Ndërsa, vepra më e mirë e vitit e përkthyer vlerësohet me 300 000 lekë. Juria e Çmimeve Kombëtare të Letërsisë për vitin 2017 përbëhej nga Parid Teferiçi, në cilësinë e kryetarit të jurisë dhe anëtarët: Alma Mile, Olimbi Velaj, Agim Baçi dhe Albert Gjoka.

Ndahen çmimet e letërsisë 2017

Ndahen çmimet e letërsisë 2017

Ndahen çmimet e letërsisë 2017

Ndahen çmimet e letërsisë 2017