Nga Spasse THANASI

– Një ballkon natyror në fytyrën e pastër te fshatit Nivicë, është i veçantë dhe ti ndjen mbi Shën Vasil vështrimin mistik që përcjell kjo pamje e mrekullueshme nga “Lëmi i Rrapit”… Këtu pema shekullore, Manastiri dhe Shkolla me arkitekturë italiane formojnë një ansambël kulturor të mahnitshëm në faqet e jetës historike të brezave…

Vonë në mbrëmje me Ardian Martikon dola në rrugën e Bregdetit dhe 15 km larg nga qyteti i Sarandës morëm drejtimin e rrëzës së malit Shëndëlli. Rrugëtim interesant në mjaft hapësira me kodra plot me rrënjë ulliri 200 – 300 vjeçare, por edhe kodra djerrë, të zhveshura ku ende dallohen tarracat e plantacioneve të dikurshme të mandarinave, më të mëdhatë në Ballkan. Ndjen dhimbje për humbjen e këtij lulëzimi frutor të mahnitshëm! Adriani me flet me nostalgji për plantacionet e dikurshme që zbukuronin natyrën dhe ndriçonin fytyrën e njeriut, ndërsa unë humbas në shkatërrime të pariparueshme të vendit, që duhet kohë të marrin vlerën e dikurshme… Saranda ka hapësira te hapura në të gjithë vijën e bregdetit dhe pasqyron një larmi natyrore interesante në gjurmët historike… Deti dhe mali e shoqërojnë gjithmonë peizazhin natyror të vendbanimeve, duke ruajtur një mistikë hyjnore në objektet e kultit qe nuk janë të pakta, sidomos manastiret. Sot u ndala të përshkruaj një vend që e shoh për herë të parë në udhëtimet e mia poetike. Një panoramë groteske e malit dhe mendja më “shëtit” nëpër soditje ngazëlluese që shpirti i ruan si një dashuri që “troket” për herë të parë…

NIVICË BUBAR

Një vend rrëzë malit Shëndëlli nga ku vështron përball si në një çardak Delvinën, fshatin Bajkaj dhe fushat e Shën Vasilit… Në qendër të fshatit është “Lëmi i Rrapit”, 470 vjeçar, pastaj në një hapësirë tjetër më tej është Shkolla me arkitekture italiane dhe Kisha “Shën Dhimitri” me kambanoren e saj… Rruga që të shpie në këtë fshat malor është e asfaltuar nga ish-Kryetari i Komunës, Vladimir Kumiu që degëzon edhe me një rrugicë të bukur në Varrezat e fshatit, të sistemuara e të rrethuara bukur për shërbesat e ndryshme mortore.

SHËN VASIL

Në një vend të hapur të Qafës së malit Shëndëlli, në një shesh të bukur në mes të cilit ndodhet një rrap shekullor 200-vjeçar (i mbjellë nga një grua nga Dajkaj), ndodhet fshati “Shën Vasil” me rreth 180 familje dhe i pasur me ullishta 200 – 300 vjeçare me një fond toke sa 5-fishi i sipërfaqes në krahasim me Nivicën, që shkon në 200 ha. ( Numërohen rreth 3000 rrënjë ullinj). Emri i fshatit mban emrin e Manastirit të Shën Vasilit, që ndodhet në fund të fshatit.

2 Km larg njeri -tjetrit, Nivica dhe Shën Vasil duken si “një fshat me dy mëhallë”. Njëri rrëzë malit të Shëndëllisë, tjetri në qafë të malit, përballë tyre në fund të fushës Delvina me fshatrat e saj plot kodra të vogla e fusha pjellore. Pritësi, i zoti i shtëpisë, Mitro Martiko, babai i Ardianit na përshëndeti plot mirësi. Një burrë fisnik, i bëshëm me plot shëndet e dashuri. Është fjalë ëmbël dhe të shtyn në kureshtjen e viteve. Na gostiti me peshk deti të tymosur, që kishte një shije të rrallë. Deti është “muza” e gatimeve dhe Mitroja më thotë se duhet të shkosh patjetër në Krorëz, të ndjesh këtë madhështi të konsumit të peshkut, me lloj -lloj gatimesh te bregdetit…

Histori që të bëjnë krenar…

Një poezi e mësuesit të merituar Minella Gjoni na çon vëmendjen të qëndrojmë në këtë pjesë të Bregdetit tonë të artë. Me mendje në zemër, në tokën e të parëve ai shprehet:

– Çdo gur sokaku na çon në një kujtim

Çdo degë rrapi tregon një histori

Çdo thinjë plaku na sjell një mendim

Çdo valëz deti na ndjell një krenari!…

Shfletojmë dhe librin e tij për historinë e fshatit “Shën Vasil”: “Vendlindja jonë” (Histori, folklor, etnografi, toponimi). Është dashuri shpirti si deti i gjerë, është krenaria për ëmbëlsinë e fshatit plot kujtime ku qëndron nostalgjia e fëmijërisë, bukuria e rinisë dhe dashuria e nxënësve që i mësoi për 40 vjet… Përsëri me bisedën e plakut zemërbardhë Mitro Martiko në këtë pikë malesh me lëndina e bukuri. Na radhit pamasë “qytezën e vërtetë” mes malesh e kodrash: “Më shijojnë ndërtesat e gurta shumëvjeçare, rrugët që gjarpërojnë mes shtëpive e portave të drunjta. Në mes të fshatit qëndron madhështor e krenar një rrap 200-vjeçar. Ky rrap ruan kujtimet e brezave, kuvendet e të parëve, mençurinë e atyre që nuk rrojnë më…”. Vështrimin e hedhim mbi malet; Shëndëlli, Mali i Bardhë, mbi fushën e fshatit prej 200 Ha në kufi me Vanën; mbi kodrat e Kacarrit, Siodelit, Varrit të Beut, Fitesë, Zhubdenës, Somanikut e të Hundecovës; mbi burimet e Gurrëzës, Shegëzës, Amullit etj; mbi kullotat në faqe të Shullërit, në majën e Herespujës e te Përroi i Simes; mbi ullishtat e ndara në parcela e kudo pozicioni i fshatit të rri si “shtizë e heshtës” në mbrojtje të ndjenjës vitale të shpirtit. Ky pozicion e ka radhitur në rrugëkryqet mes Bregdetit, Kurveleshit e Rrëzomës. Dhe kënga e thotë bukur :

– ” Kjo Tavla qafëholluar

Karshi dynjasë kundruaro

Shën Vasil fshat i dëgjuar

Shën Vasil në mes të sheshit

Gjithë lezeti i Bregut të Detit

Shtëpi miqe Kurveleshit….”

Fshati Shën Vasil është fshat autokton, historikisht i krishterë dhe i banuar që në lashtësi. Historia e fshatit është e lidhur me tërë historinë e krahinës së Bregdetit. Rrjedhën e vetë shënvasiotët e kanë nga fisi i Kaonëve të Epirit, që bëri emër në histori :

Himarë, Kaninë, Drashovicë

Tepelenë, Kardhiq, Nivicë

Kaonë janë të gjithë

Nga një farë e nga një fis

Që me ardhjen e Turqisë

i ndau , i bëri dysh

Në xhami edhe në kishë…

Në këtë fshat, që kishte një Han të madh i ndodhur në Qafën e Hanit, kanë bujtur shumë kalimtarë që merrnin rrugën e gjatë për në Delvinë, Janinë e Prevezë. Më 1506 mjaft banorë të fshatit emigruan në vende të huaja, duke u endur nëpër Kalabri e Sicili të Italisë. Nga Shën Vasili qenë shumë patriotë që morën pjesë në luftën për çlirimin e Italisë dhe bashkimin e saj nën udhëheqjen e Garibaldit. Shënvasiotët e Kalabrisë ruajnë mbiemrat autoktonë, toponimet e fshatit shqiptar, zakonet e lashta dhe dokumentet e shkruara. (Nga ky fshat mendohet të jetë edhe futbollisti i kombëtares italiane dhe i Interit të Milanos Kristian Vjeri, paraardhësit e të cilit janë nga Shën Vasili i vjetër). Kështu shkruan një gazetë e Milanos. Fshati Shën Vasil i vjetër ka qenë shtrirë në faqen e malit Shëndëlli, duke arritur 800 banorë, por ai u dogj tërësisht më 1798 nga Ali Pashë Tepelena. Më 1801 u vendos në Qafën e Shën Vasilit. Në Tavël, një grua nga Dajkaj mbolli një rrap për të treguar forcën, jetëgjatësinë dhe paprekshmërinë e këtij fshati. Në anë të tij u mboll një qiparis dhe u ndërtua Kisha e Shën Triadhës. Rreth Kishës në sheshin e Tavlës u ndërtuan varrezat e fshatit të ri. Fshati ka 11 kisha, 2 Manastire, 2 artistë e mësues të merituar (si Alqi Lepuri e Minella Gjoni ), dy mjeshtra sporti (Aleko Dajko e Jani Kaçi), dy profesorë ( Leonidha Gjoni e Josif Papagjoni) e 10 shkrimtarë (Vangjel Foti, Arsen Vjeri, Lefter Vogli, Josif Papagjoni, Robert Martiko, Koço Vogli, Irena Gjoni, Llambi Gjikuli, Stefan Martiko e Aleko Plaku). Më 1967 u prish kisha e Shën Triadhës në qendër të fshatit dhe Manastiri i Shën Vasilit që u rihap më 1990. Më 1967 fshatit iu ndërrua edhe emri Shën Vasil në Përparim dhe pas viteve 1990 fshati mori përsëri emrin e mëparshëm. Më 2004 u rikonstruktua rruga e Hanit, duke u shtruar me beton, u instalua përforcuesi i telefonisë celulare Vodafon në Shëndëlli etj. Janë arsimuar 104 kuadro të lartë për mësues, inxhinierë, mjekë, agronomë, veterinerë, ushtarakë, muzikantë e artistë; u përgatitën 220 kuadro me arsim të mesëm profesional kryesisht bujqësor dhe funksionon një muze modest i historisë së fshatit. Brezi i intelektualëve që bëri emër gjatë viteve 1960 – 1980 përfaqësohet nga Vasil Plaku, jurist, Stefan Papagjoni, ekonomist, Kleanth Plaku, agronom dhe studiues, Argjiro Kërkeshi, mjeke, Stefan Martiko, oficer, Thoma Kërkeshi gazetar, Stefan Mekshi, radiolog, Fredi Zhupa e Odise Vjero stomatolog, Fotaq Gjika kirurg, Minella Gjoni mësues, Arqile Dhima veteriner, Alqi Lepuri dirigjent etj. Data e çlirimit të fshatit konsiderohet 22 Shtatori 1944, me betejën e Brodanit, kur gjermanët ikën përfundimisht nga krahina.