Pas miratimit në Parlament, ministri i Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj ka prezantuar të dhënat e buxhetit 2019. Ministri tha se fokusi i buxhetit do të jetë rritja e pagave për 65 mijë të punësuar, ndërsa paga minimale do të shkojë në 26 mijë lekë. Duke u ndalur në paketën e solidaritetit, Ministri tha se pagesa e ndihmës ekonomike do të arrijë në 8 mijë lekë në muaj, ndërsa barnat me rimbursim do të përfitohen falas edhe nga personat e pasiguruar.

RRITJA E PAGAVE

Ministri Ahmetaj deklaroi se buxheti i ri rrit pagat e administratës nga 7 deri në 20 për qind. Sipas ministrit Ahmetaj, do të përfitojnë nga rritja 65 mijë punonjës, duke përfshirë mësuesit, mjekët, infermierët, ushtarakët, diplomatët dhe policët e burgjeve. “Lajmi i mirë është rritja e pagave për 65 mijë të punësuar dhe sektorët që do të kenë rritje janë shëndetësia, me rritje 7-10 për qind mjekët dhe infermierët, ku përfitojnë 4765 mjekë dhe mbi 13 mijë infermierë. Tek arsimi, rritje mbi 17 për qind për mësuesit dhe deri në fund të mandatit rritja 40 për qind. Te mbrojta shkon në kategori të ndryshme deri në 19 për qind dhe prek ushtarakët. Fiton Policia e Burgjeve rreth 7 për qind rritje, pastaj varion për kategori të ndryshme. Dhe për herë të parë përfitojnë dhe diplomatët. Rritja e pagës shkon dhe mbi 20 për qind”, tha ministri.

TAKSA PROGRESIVE

Ministri i Financave Ahmetaj tha se nga taksa progresive 98 për qind e shqiptarëve paguajnë më pak tatim se me taksën e sheshtë. “Për shkak të thellimit të progresivitetit të tatimit mbi të ardhurat, do të përfitojnë edhe 15,400 të punësuar. Pra, siç e theksova, 98 për qind e të punësuarve iu është ulur në mënyrë të konsiderueshme ngarkesa fiskale. Ne jemi vendi në rajon që taksojmë punën me pak të ardhura nga puna. Të ardhurat nga puna rajoni i takson 9 ose 10 për qind, ne i taksojmë me mesatare 5,5 për qind. Paga nga 30 mijë lekë në 40 mijë lekë taksohet 1,89 për qind, pra një vlerë simbolike. Pagat deri në 30 mijë lekë taksohen 0 për qind dhe progresiviteti deri në 150 mijë lekë i ka taksat konsiderueshëm, ndryshe në atë që ka qenë taksa grabitqare, shkatërruese, varfëruese e sheshtë. Kthimi i taksës së sheshtë do të ishte varfërim i shqiptarëve, grabitje e asaj që kjo maxhorancë e ka marrë nga buxheti dhe ia ka dhënë qytetarëve”, u shpreh Ahmetaj.

Ministri tha se oferta e opozitës për taksën e sheshtë 9 për qind varfëron qytetarët. “Me taksën e sheshtë 9 për qind, mbi 98 për qind e të punësuarve do të kenë një barrë fiskale të shtuar prej 9.1 miliardë lekë. Çdo vit janë 120 milionë dollarë që me taksën e sheshtë do të ishin në buxhet duke u bërë rrush e kumbulla, por sot janë në xhepat e shqiptarëve të punësuar. Opozita do t’ia 6-fishojë me taksën e sheshtë një të punësuari në këto fasha taksat. Shikoni se çfarë ndodh me ata që paguhen mbi 150 mijë lekë, sot e kanë taksën efektive 17,4 për qind dhe më një pagë mesatare deri në 230 mijë lekë, 14,78 për qind, kurse opozita do t’ia 5-fishojë dhe do t’i rrisë taksat edhe për atë fashë që sot taksohet 1,89 për qind”, u shpreh Ahmetaj.

BUXHETI

Kreu i Financave, Ahmetaj, e konsideroi buxhetin e vitit 2019 si buxhetin e rritjes ekonomike, të rritjes së pagave dhe uljes së borxhit. “Ky është buxheti i rritjes së pagave, i investimeve dhe i rritjes ekonomike mbi 4 për qind, i uljes së borxhit. Ky është buxheti i rrugëve, buxheti i bujqësisë që është e përjashtuar nga taksat. Sot, me kërkesë të Komisionit të Ekonomisë, hoqëm TVSH-në e shërbimit të vaksinimit veterinar. Do t’ju kujtoj se çfarë tha FMNja për Partneritetin Publik Privat, është mundësi dhe një instrument për investime.

Me PPP-të do të ndërtojmë Rrugën e Arbrit dhe jo të bëjmë skanimin, që dënoi sipërmarrjen rëndë me 40 euro tarifë për importin dhe eksportin. Ne bëjmë PPP-të në favor të lidhjes së Dibrës me Tiranën, të bregdetit të Shqipërisë me zonat e banuara, për të bërë segmentin e veriut që zgjeron Thumanë-Kashar, Milot-Balldren dhe më pas rrugën Tiranë-Durrës. Do të ndërtojmë hekurudhën që do të bashkojë Tiranën me Durrësin, një investim prej 93 milionë eurosh”, tha ministri. Duke folur për paketën fiskale, Ahmetaj u shpreh se 91 për qind e biznesit nuk taksohet. “Në 2016-ën zeruam taksën e biznesit të vogël me xhiro 0-5 milionë. Sot, 91 për qind e sipërmarrjeve shqiptare taksohen 0 ose 5 për qind. Nuk ka precedent të tillë në rajon. Kjo nuk është thjesht paketë fiskale, është paketë sociale”, tha ministri.