Nëntë vite pas fillimit të ndërtimit, Presidenti kinez Xi Jinping ka hapur sot zyrtarisht urën më të gjatë të kalimit në det në botë.

Ura është e gjatë 55 kilometra dhe lidh Hong Kong me Macau dhe qytetin kinez të Zhuhai. Ndërtimi i kësaj ure ka kushtuar rreth 20 miliardë dollarë.

Punimet për ndërtimin e saj janë ndaluar disa herë për çështje sigurie, pasi të paktën 18 punëtorë kanë vdekur ndërsa punonin.

Xi mori pjesë në ceremoninë e hapjes së urës që u zhvillua në Zhuhai së bashku me udhëheqësit e Hong Kongut dhe Macau.

Ura do të hapet për trafikun publik të mërkurën.

Ajo lidh tre qytete kryesore bregdetare në Kinën jugore, Hong Kong, Macau dhe Zhuhai.

Ura, e projektuar për t’i bërë ballë tërmeteve dhe tajfunëve, është ndërtuar duke përdorur 400,000 ton çelik, të mjaftueshme për të ndërtuar 60 Kulla Eiffel.