Partia Demokratike nëpërmjet zëdhënëse se saj, Ina Zhupa denoncon se kompania Biba X, përfituese e 18 milionë eurove nga Projekti i Unazës së Re është vënë sërish nën sekuestro nga Përmbarimi. Sipas saj,  kompania e paracaktuar nga Edi Rama për aferën korruptive të Unazës së Re, duhet të paguajë detyrimet që i ka shtetit dhe jo të marrë 18 milionë euro prej tij.

Deklaratë  e PD, zëdhënësja Ina Zhupa 

Edi Rama ka thelluar edhe më shumë paligjshmërinë me Unazën e Re, kur ka vendosur të nisë shembjen e disa godinave tek rreth-rrotullimi i Shqiponjës, duke përdorur një kompani që është nën sekuestro nga përmbarimi.

Historia e sekuestro për kompaninë Biba X, që ka marrë tenderin korruptiv të Unazës së Re, bashkë me një kompani fantazmë, pa pronarë të identifikuar, është përsëritur.

Për ironi, kompania që, bashkë me Inspektoratin e Ndërtimit, shemb godina tek sheshi “Shqiponja”, është nën sekuestro nga vetë IKMT-ja.

Dokumenti që po publikojmë sot mban datën 14 Nëntor dhe tregon se Përmbarimi ka vendosur në sekuestro me ekzekutim të detyrueshëm  të gjitha asetet e kompanisë Biba X; konkretisht në  kuotat ligjore të kompanisë, pasuritë e luajtshme dhe të paluajtshme, kantiere aktive të ndërtimit, llogari bankare etj.

Situata është sa absurde, aq edhe jo ligjore. Një kompani që ka çdo pasuri nën sekuestro dhe pasuritë e saj mund të dalin në ankand, nuk mund të kryejë punë publike.

Në vend që të përfitojë 18 milionë euro nga buxheti I shtetit, kompania e paracaktuar nga Edi Rama për aferën korruptive të Unazës së Re, duhet të paguajë detyrimet që i ka shtetit, në këtë rast Inspektoratit të Ndërtimit, me të cilin po prish godinat.

Kompania Biba X ishte nën sekuestro edhe në kohën e pjesëmarrjes në tenderin korruptiv dhe të paracaktuar për ndërtimin e 2.2 kilometrave të Unazës së Re.

Partia Demokratike ka sjellë fakte se i gjithë Projekti i Unazës së Re është i paligjshëm, korruptiv dhe në shkelje të plotë të vendimit të qeverisë për projektimin dhe ndërtimin e rrugëve.   Projekti 40 milionë euro është tenderuar pa studim fizibiliteti, pa vlerësim të ndikimit në mjedis, pa analizë kostoje/përfitimi, pa vlerësim shpronësimesh.

Partia Demokratike i kërkon prokurorisë të dëgjojë zërin e banorëve dhe të marrë menjëherë në shqyrtim kallëzimin e tyre penal.  Çdo zyrtar i përfshirë në këtë aferë gjigande korruptive duhet të përgjigjet para ligjit!