Ekipet e kërkim-shpëtimit kanë nxjerrë gjashtë kufoma nga deti ku u rrëzua një avion indonezian.

‘Lion Air JT 610’ u përplas në det, afër kryeqytetit Xhakarta mëngjesin e së hënës  (29 tetor), vetëm 13 minuta pas ngritjes në fluturim.

Avioni mbante 189 pasagjerë, midis tyre 3 fëmijë, kur u zhduk nga radari gjatë një fluturimi të shkurtër nga Xhakarta në Pangkal Pinang, ishullin indonezian të Bangka.

Në avion, një Boeing 737 MAX 8 i ri, ishin 181 pasagjerë, si dhe gjashtë anëtarë të ekuipazhit të kabinës dhe dy pilotë.

Trupat e gjetura janë dërguar në një spital në lindje të Xhakartës, tha Bambang Suryo Aji, drejtor i operacioneve për Basarnas.

Ekipet e kërkim-shpëtimit po punojnë pavarësisht dallgëve të larta dhe rrymave të forta, në zonën që përfshin 150 milje detare.