”Përtej maleve tona” është një film i realizuar nga produksioni kosovar ‘Asha’ me producent Alban Zogjani dhe me regji të autores dhe regjisores amerikane Madeline Johnson ku tregohet historia e dashurisë e dy të rinjve, Etritit dhe Milenës, njëri shqiptar dhe tjetra serbe. Ata ndodhen në një moment të rëndësishëm në jetën e tyre ku duhet të marrin një vendim që përfshin jo vetëm ndjenjat e tyre por edhe sfidat e së kaluarës dhe mund të vë në rrezik dashurinë e tyre në të ardhmen.

Regjisorja Johnson ka dhënë më shumë detaje rreth idesë së filmit në intervistën e saj për “Zërin e Amerikës”. Ajo ka rrëfyer se ideja i ka lindur pasi kishte vizituar Kosovën, vend ky që e kishte tërhequr aq shumë me historinë e tij sa për të realizuar një film.

“Në përgjithësi në filmat që krijoj, unë përpiqem t’i përgjigjem një pyetjeje të caktuar, përmes shtjellimit të një historie. Në këtë rast, pyetja ishte “Si mund t’i shërosh plagët?”, veçanërisht për këta personazhe që kishin pasur një marrëdhënie të vështirë. Unë kisha një shoqe që punonte në Kosovë dhe shkova dy herë për ta takuar dhe kur isha atje, e pashë sesa vend interesant, magjepsës dhe i bukur ishte kështu që doja që ta vendosja historinë atje dhe t’i përpunoja temat më shumë atje”.

 Ajo ka thënë se dëshiron që filmi i saj të shfaqet edhe në Kosovë. “Po, do të më pëlqente. Tani filmi është në fazën e pjesëmarrjes në festivale, por do të ketë mundësi të tjera. Pa dyshim që do të kisha shumë dëshirë ta ndaja me komunitetet në Kosovë”.