Princ Harry dhe Meghan Markle do të largohen nga apartamenti i tyre me dy dhoma gjumi në Kensington Palace për një shtëpi më të madhe e më larg zonave urbane.

Sipas Daily Mail, një zëdhënës i çiftit dha këtë deklaratë për shtyp dje:

“Duka dhe Dukesha e Sussex do të shpërngulen në Frogmore Cottage në pronën Windsor në fillim të vitit që vjen që të përgatiten për ardhjen në jetë të fëmijës së tyre të parë. Windsor është një vend shumë i veçantë për Lartësitë e Tyre dhe janë mirënjohës që banesa e tyre zyrtare do të jetë atje. Zyra e Dukës dhe Dukeshës do të mbesë në Kensington Palace.”

Nëse ju lindi pyetja “ç’është Frogmore Cottage,” ose Kasollja Frogmore, është një shtëpi mbretërore në afërsi të Windsor Castle, rreth 20 minuta larg Londrës. Frogmore Cottage është një nga pronat e Frogmore House, vendi ku Harry dhe Meghan mbajtën ceremoninë private të dasmës.

Mos u mashtroni nga titulli kasolle. Banesa, e cila ishte një dhuratë nga Mbretëresha për Harry-n, ka dhjetë dhoma gjumi dhe një dhomë për foshnjen.

Çifti jo vetëm që do më shumë hapësirë tani që po shtohen me fëmijë, por edhe synojnë të distancohen nga Princi William dhe Kate Middleton. Sipas një burimi mbretëror, Harry dhe Meghan kishin planifikuar të shpërnguleshin në një apartament më të madh në brendi të Kensington Palace, por “gjendja ka qenë e tensionuar mes dy vëllezërve. Tani Harry dhe Meghan nuk duan të jetojnë ngjitur William dhe Kate.”