Studentët e Elbasanit denoncojnë se janë përballur me kërcënime nga ana e pedagogëve për shkak të protestës së tyre.

Një prej studenteve thotë për gazetaren e Fax News Entela Duka se shumë prej bashkëmoshatarëve të saj janë përballur me kërcënime se do të ngelen në rast se dalin në protesta.

E megjithatë asgjë nuk i ndal studentët e Elbasanit që të nisen sot drejt Tiranës për t’u bashkuar me studentët e tjerë që protestojnë përpara Ministrisë së Arsimit.

‘’Sot ne jemi më të pakët në numër, pasi ka studentë që u trembën nga kërcënimet e pedagogëve. Kush del nga këtu ta harrojë diplomën, unë do t’iu ngel, këto kanë qenë disa nga kërcënimet e pedagogëve. Unë i kuptoj studentët e tjerë që kanë frikë, pasi e di sesi funksionon rrjeti i pedagogëve, e megjithatë ne duhet ta shembim frikën.

Ne kemi marrë sot një vendim unanim që të nisemi drejt Tiranës, pasi e dimë që bashkimi bën fuqinë. Këtu e bëmë punën tonë, atje do të bëhet Lëvizja Kombëtare Studentore”, u shpreh studentja.