Dhjetëra mijëra protestues kanë marrë pjesë sot në një protestë masive në Madrid, e cila është organizuar nga partitë e qendrës së djathtë, të cilat po e kundështojnë planin e qeverisë spanjolle për t’i ulur tensionet në rajonin e Katalonisë përmes negociatave, shkruan BBC.

Protesta është organizuar nga Partia Popullore dhe partia “Qytetarët”, të cilat reaguan pasi kryeministri i Spanjës, Pedro Sanchez, ua mundësoi separatistëve katalanë një raund bisedimesh për zgjidhjen e çështjes së tyre.

Partitë djathtiste po e vlerësojnë këtë ofertë të kryeministrit spanjoll si tradhti dhe dorëzim para kërkesave të separatistëve. Megjithatë, përfaqësuesit e separatistëve e kanë refuzuar ofertën e qeverisë.

Protestuesit e kanë mbushur sheshin në qendër të Madridit dhe rrugët afër tij, duke brohoritur “Jetë të gjatë, Spanjë”. Policia ka raportuar se në këtë protestë po marrin pjesë rreth 45 mijë protestues.