Pas një viti mungesë, Ministria e Drejtësisë ka propozuar këtë vit disa kategori të burgosurish që do të përfitojnë nga amnistia. Nga një përllogaritje, numri i të burgosurve mund të jetë rreth 600, ndërsa nga falja përjashtohen të burgosurit për vepra penale të rënda

Pas një viti mungesë, Ministria e Drejtësisë ka propozuar këtë vit disa kategori të burgosurish që do të përfitojnë nga amnistia. Nga një përllogaritje paraprake, numri i të burgosurve mund të jetë rreth 600, ndërsa nga falja përjashtohen të burgosurit për vepra penale të rënda. Referuar të dhënave, mësohet se në draftin ligjor që po përgatitet, parashikohet amnistimi i veprave të lehta penale, për të cilat të burgosurit janë dënuar deri në datën 30 nëntor 2018, për ata të burgosur, që u mbetet për të kryer edhe dy vjet nga dënimi total. Ministria e Drejtësisë, tashmë e ka çuar për mendim draftin në Prokurorinë e Përgjithshme, i cili pasi të kompletohet, do të kalojë në Kuvend për t’u shqyrtuar dhe miratuar më pas. Kujtojmë se gjatë vitit 2017, nuk pati amnisti, ndërsa përpos kësaj, të burgosurve, iu mohuan edhe lejet e fundvitit. Me anë të një reagimi në atë kohë, Drejtoria e Burgjeve, thoshte se e gjitha, bëhet për arsye të sigurisë, pasi ekzistonte mundësia që persona me leje nga burgu, të mund të kryenin krime. Ndërkohë, në lidhje me amnistin, Ministria njoftoi se nuk do të kishte, ndërsa për këtë vit do të diskutohej, që personat e dënuar për dhunë në familje të mos përfitojnë, megjithëse do të jetë një konsultim nga organet kompetente, që do të përcaktojnë kriteret përfundimtare. “Nëse bëjmë amnisti në vitin 2018, atëherë në të nuk do të përfshihet dhuna në familje”, tha ministrja Etilda Gjonaj, një vit më parë. Burime thonë se grupi i punës, po kujdeset që faljen, ta përfitojnë të burgosur, për të cilët është arritur qëllimi i dënimit, që kanë rrezikshmëri të ulët, janë edukuar dhe rehabilituar gjatë periudhës që kanë vuajtur dënimin.

Kriteret për përfitimin e amnistisë

Në draftin e përgatitur nga Ministria e Drejtësisë, parashikohet të amnistohen personat e dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë, me burgim deri në 3 vjet ose çdo lloj dënimi tjetër më të butë, duke përfshirë gjobën, pezullimin e dënimit me burgim ose çdo lloj dënimi tjetër alternativ, për dënime të dhëna deri në datën 30 nëntor 2018, pavarësisht nga koha e mbetur nga dënimi. Amnistohen gjithashtu, personat e dënuar me burgim, të cilëve, deri në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji, u kanë mbetur pa vuajtur nga ky dënim deri në 2 vjet. Vëmendje më shumë kanë marrë femrat dhe moshat e thyera. Konkretisht, amnistohen personat e dënuar femra, që, në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji, janë baras ose mbi moshën 55 vjeç. Amnistohen personat e dënuar meshkuj, që, në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji, janë baras ose mbi moshën 60 vjeç. Amnistohen personat e dënuar me burgim, të cilët, në kohën e kryerjes së veprës penale, kanë qenë baras ose nën moshën 18 vjeç, me përjashtim të atyre që janë dënuar për vepra penale të rënda, siç janë kryerje e veprës penale në kuadër të grupit të strukturuar kriminal. Nga amnistia, do të përjashtohen personat, të cilët i janë shmangur ekzekutimit të vendimit të dënimit, si dhe përsëritësit e së njëjtës vepër penale. Të gjithë personat, të cilët mund të kenë kryer vepra të lehta penale dhe mund të jenë dënuar në mungesë me 3 vite burgim, nuk mund të përfitojnë, kjo për shkak se kanë shmangur hetimin dhe përballjen me drejtësinë.

Kush përjashtohet?

Ashtu si në vitet e para, edhe në draftin e përgatitur këtë vit nga Ministria e Drejtësisë, parashikohet që amnistinë të mos e përfitojnë personat e dënuar për: krime kundër njerëzimit, si gjenocidi, vrasjet me paramendim, krimet e luftës dhe shpërndarja e materialeve pro gjenocidit ose krimeve të tjera. Krime kundër jetës, të kryera me dashje, si gjakmarrja apo vrasja e funksionarëve publik. Vepra penale të kryera me dashje kundër shëndetit, tortura apo plagosja e rëndë me dashje. Krime seksuale, si marrëdhënie me fëmijë të mitur me dhunë, ose marrëdhënie me të rritur me dhunë. Vepra penale kundër lirisë së personit, si rrëmbim ose mbajtje peng, heqje e ligjshme e lirisë, ose trafikim. Vepra penale kundër moralit dhe dinjitetit, si shfrytëzimi i prostitucionit. Vepra penale kundër fëmijëve, martesës dhe familjes, vepra penale kundër pasurisë dhe në sferën ekonomike dhe vepra penale kundër falsifikimit të monedhave dhe letrave me vlerë. Gjithashtu, nuk përfitojnë nga amnistia personat që kanë kryer krime kundër pavarësisë dhe rendit kushtetues, krime që cenojnë marrëdhëniet me shtetet e tjera.

Lejet shpërblyese

Ndërkohë që vitin e shkuar, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve pezulloi lejet shpërblyese për të dënuarit, duke thënë se ato do të parashikohen për vitin pasardhës, ende nuk dihet se çfarë vendimi do të ketë këtë herë. “Ky urdhër është në fuqi që në datën 24 dhjetor dhe do të qëndrojë deri në 3 janar 2018”, u bë e ditur vitin që shkoi, ndërsa u tha se bllokimi i lejeve shpërblyese për të dënuarit që plotësojnë kushtet për të kaluar festat e fundvitit me të afërmit është bërë për të shmangur ngjarje kriminale. Ndoshta duke iu referuar vrasjes në Shkodër, ku një i burgosur i cili kishte marrë lejen, vrau 35-vjeçarin Angjelin Shkambi.  I dyshuari kryesor për vrasjen është Artan Koçeku, të cilit, referuar hetimeve, Angjelini i kishte pasur gati 40 mijë euro borxh. Për këtë borxh kishin lindur konfliktet dhe Koçeku, më pas kishte përfunduar në burg për veprën penale të “Vjedhjes”. Rreth një vit më parë, u bë e ditur se, pak ditë më parë se të kryente vrasjen, ai mori leje dhe la takim me Shkambin. Ndërkohë, Koçeku pasi kreu vrasjen, u zhduk pa lënë gjurmë dhe ende nuk është arrestuar.Bleona Metushi/Shekulli