Një helikopter ushtarak u rrëzua në Afganistan në distriktin Anar Dara të provincës Farah, duke vrarë të paktën 25 vetë, përfshirë anëtarët e këshillit provincial Farah dhe oficerët e ushtrisë afgane.

Kjo u njoftua nga një zyrtar lokal. Talibanët njoftuan se ishin ata që qëlluan avionin. Paraprakisht dyshohet se helikopteri është  rrëzuar si pasojë e motit të keq, ndërsa një zëdhënës i talibanëve ka pretenduar se militantët e kanë rrëzuar atë.

Ndërkohë, të paktën 7 persona kanë mbetur të vrarë në një autobus që po transportonte punonjës të burgut më të madh të Afganistanit.  Pesë të tjerë u plagosën nga shpërthimi pranë burgut Pul-e-Kharkhi në Kabul dhe lajmi është bërë i ditur nga zëdhënësi i policisë Basir Mujahid.

“Agresori ishte në këmbë në momentin që hodhi veten në erë”, tha zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme Najib Danish. Ai realizoi shpërthimin në momentet që  autobusi po hynte në burg në pjesën lindore të kryeqytetit afgan. Deri më tani sulmi nuk është marrë përsipër nga askush, por DEASH/ISIS pretendon se ka realizuar shumicën e sulmeve vetëvrasëse në Kabul.

Sulmi ndodhi vetëm disa ditë pasi njësulmi vetëvrasës, që ndodhi përpara hyrjes në Komisionin e Pavarur Elektoral të Afganistanit në Kabul, duke vrarë një person dhe plagosur gjashtë të tjerë. Nga vala e dhunës që përfshiu vendin gjatë zgjedhjeve, mbetën të vrarë dhe plagosur qindra njerëz në të gjithë vendin gjatë muajve të fundit, ndërsa talebanët dhe DEASH rritën sulmet ndaj forcave afgane të sigurisë dhe punonjësve qeveritare.

Zgjedhjet e vonuara parlamentare në Afganistan, të cilat u zhvilluan për tre ditë këtë muaj, u shënuan nga kaosi dhe sulme vdekjeprurëse.