Ndryshimet e orës reflektohen edhe në mirëqenien tonë duke na sjellë nervozizëm, lodhje dhe shpërqendrim, efektet e të cilave i ndiejmë gjatë ditëve në vazhdim derisa ora jonë biologjike të sinkronizohet me orën verore.

Ndaj, mos u habisni nëse për të paktën një javë nga dita e ndryshimit të orës, humori juaj nuk do të jetë më ai i pari.
Më poshtë ju paraqesim disa këshilla të specialistëve, se si të përballoni më lehtë këtë ndryshim dhe të përshtateni me orën e re:
1.Mësohuni gradualisht me ndryshimin e orës

Shkoni në shtrat 15 minuta më herët, duke filluar disa ditë para se ora të ndryshojë. Gjithashtu, përpiquni të jeni sa më të çlodhur një javë përpara ndryshimit të orës, në mënyrë që trupi juaj ta përballojë më lehtë ndryshimin.

2.Flini rregullisht
Shkoni në shtrat dhe zgjohuni në të njëjtën orë çdo ditë. Kjo ndihmon trupin tuaj të rregullojë modelin e tij të gjumit dhe të marrë maksimumin nga orët që keni fjetur. Nëse është e mundur, zgjohuni në të njëjtën kohë edhe në fundjavë, për ta përballuar sa më leht ditën e hënë.

Gjithashtu, mund të shikoni se si një dremitje e vogël ndikon në cilësinë e gjumit. Për disa nga ne, një dremitje e vogël mund ta bëjë shumë të vështirë gjumin e natës, por për disa të tjerë 20 minuta dremitje mund të jenë një rigjallërim i vërtetë pa ndikuar në gjumin e natës.

3.Sa orë gjumë na nevojiten?
Jo të gjithë kanë nevojë për të njëjtat orë gjumi dhe kërkesat për të mund të ndryshojnë me kalimin e moshës. Për të gjetur numrin tuaj ideal të orëve të gjumit, në fundjavë mos e vendosni alarmin e orës kur të flini dhe shihni se kur do t’ju dalë gjumi vetë.

4.Qetësohuni përpara se të flini
Kur jeni të stresuar, është e pamundur të flini. Përpiquni të shmangni programet e ndryshme televizive apo filmat, para se të bini në shtrat. Qetësohuni me një çaj kamomil, një banjë të ngrohtë me aromë livande ose lexoni një libër. Shqetësimi rrit prodhimin e kortizolit, hormonit të stresit, i cili ju bën më vigjilent.

Nëse ankthi ju mban zgjuar, programoni ditën e nesërme si dhe përcaktoni zgjidhje të mundshme për vështirësitë që mund të keni.

5.Ushqehuni sa më lehtë në darkë
Mostretja e ushqimeve pikante, të yndyrshme ose sasia e tepërt e ushqimit në stomak, shkakton pagjumësi. Për një gjumë të mirë dhe të qetë, konsumoni ushqime të thjeshta dhe sa më të lehta disa orë përpara gjumit. Gjithashtu, eliminoni edhe lëngjet e tepërta. Kështu, nuk do të detyroheni të ngriheni
gjatë natës.

6.Krijoni një ambient të përshtatshëm për gjumë
Gjatë një dite normale, temperature e trupit ndryshon sipas aktivitetit fizik dhe ambientit. Në qoftë se ambienti është shumë i ngrohtë ose shumë i ftohtë, e keni të pamundur të qetësoheni gjatë natës. Në fakt, studimet tregojnë se disa forma të pagjumësisë janë të lidhura me rregullimin e temperaturës së trupit. Temperatura optimale e dhomës së gjumit është 15-20o C.

Trupi gjithashtu ka nevojë për një dyshek e jastëk të rehatshëm. Dhoma duhet të jetë e izoluar nga zhurmat dhe drita. Si dhe të ketë nivelin e përshtatshëm të lagështisë, që është 50%.

7.Shmangni konsumin e disa përbërësve
Alkooli, kafeina dhe duhani ndikojnë në gjumin tuaj. Ndaj nëse keni probleme me të, shmangni konsumin e tyre 4 deri në 6 orë para se të flini.

8.Nëse nuk arrini të flini, ngrihuni
Të gjithë kemi pasur netë kur kemi vuajtur nga pagjumësia. Ose jemi zgjuar në mes të natës dhe nuk kemi fjetur dot më. Shmangni të shikoni orën, e cila jua shton më shumë ankthin. Nëse keni qëndruar zgjuar në shtrat për më tepër se 20 minuta, është mirë të çoheni. Të ndërroni ambient e të merreni me diçka që ju qetëson. Mbani ndriçim të ulët, pini një gotë qumësht të ngrohtë me pak mjaltë. Lexoni një libër ose shkruani çfarë t’ju vijë në mendje derisa t’ju rëndohen qepallat.