Tirana, qyteti më i keq për të jetuar në Evropë

Tirana, qyteti më i keq për të jetuar në Evropë

Indeksi i Mercer: Kryeqyteti shqiptar renditet i 175-ti nga 231 vende në botë për cilësinë e jetesës

Tirana është qyteti që ka pasur ndoshta zhvillimin më të madh në Shqipëri, për sa i përket investimeve në infrastrukturë dhe mënyrë jetese, por megjithatë cilësia e jetesës në kryeqytet vijon të mbetet ndër më të këqijat në botë. Këtë gjë e raportin indeksi i përvitshëm i “Mercer”, i cili ka bërë një studim rreth standardeve të jetesës në më shumë se 200 qytete kryesore të botës. Sipas këtij studimi, Tirana renditet e 175-a nga 231 qytete kryesore në botë, për cilësinë e jetesës në 2019, ndërsa jo vetëm në Ballkan por edhe në Evropë kryeqyteti shqiptar mban vendin e fundit.

Kompania këshilluese “Mercer” bën vlerësimin duke u bazuar në 39 kritere të ndryshme si: krimi, zbatimi i ligjit, liria e medias, transporti, trafiku, shërbimet, mallrat, vendet e argëtimit, ndotja etj. Bazuar në këto kritere, Tirana “ngel” në klasë, duke mos arritur të ketë standardet optimale për jetesën e banorëve. Në lidhje me vendet e Rajonit, lista kryesohet nga Zagrebi që renditet i 98-i, ndjekur nga Beogradi i 139-i, Sarajeva e 156-a dhe Shkupi që renditet i 161-i.

Qyteti më i mirë për të jetuar në botë vijon të jetë Vjena e Austrisë, e ndjekur nga Zyrihu në Zvicër. Ndërsa qyteti më i keq në botë është Khartoum në Sudan.

Vëzhgimi i “Mercer” është një nga më të plotët të llojit të tij në botë dhe kryhet çdo vit për t’u mundësuar kompanive multinacionale dhe organizatave të tjera që të kompensojnë punonjësit në mënyrë të drejtë kur i caktojnë ata në detyra ndërkombëtare.

Përveç të dhënave të vlefshme për cilësinë e jetesës relative, studimi i “Mercer” jep vlerësim për më shumë se 450 qytete në mbarë botën; kjo renditje përfshin 231 nga këto qytete.

Kushtet dhe kategoritë e vlerësimit

“Mercer” ofron renditjen e përvitshme mbarë botërore rreth standardeve të jetesës nga studimet më të fundit të “Worldwide Quality of Living Surveys”. Raportet individuale sigurohen për çdo qytet të vrojtuar ku përdoren indekset krahasuese të cilësisë së jetesës ndërmjet qytetit bazë dhe qytetit mikpritës, sikundër janë krahasimet me shumë qytete. Kushtet e jetesës janë analizuar në bazë të 39 faktorëve, grupuar në 10 kategori:

  • Mjedisi politik dhe shoqëror (stabiliteti politik, krimi, zbatimi i ligjit, etj.)
  • Mjedisi ekonomik (rregulloret e këmbimit të monedhës, shërbimet bankare)
  • Mjedisi socio-kulturor (disponueshmëria e medias dhe censura, kufizimet në lirinë personale)
  • Shërbimi mjekësor dhe shëndetësor (furnizimet mjekësore dhe shërbimet, sëmundjet ngjitëse, kanalizimi, hedhja e mbeturinave, ndotja e ajrit, etj.)
  • Shkollat dhe arsimi (standardet dhe disponueshmëria e shkollave ndërkombëtare)
  • Shërbimet publike dhe transporti (energjia elektrike, uji, transporti publik, bllokimet e trafikut, etj.)
  • Vendet për argëtim (restorante, teatro, kinema, qendra sportive dhe të kohës së lirë, etj.)
  • Mallrat e konsumit (disponueshmëria e artikujve ushqimorë/ artikuj të konsumit të përditshëm, makina, etj.)
  • Strehimi (strehimi me qira, pajisje shtëpiake, mobilie, shërbimet e mirëmbajtjes)
  • Mjedisi natyror (klima, regjistrime të fatkeqësive natyrore)