Presidenti amerikan, Donald Trump, i ka dërguar një letër presidentit Hashim Thaçi, në të cilën konfirmon përkrahjen për Kosovën, si dhe flet për mundësinë e arritjes së një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë.

Presidenti Thaçi përmes një postimi në llogarinë e vet në “Facebook” ka bërë me dije lajmin për pranimin e kësaj letre nga presidenti Trump.

Thaçi ka theksuar se liria dhe pavarësia e Kosovës, janë rezultat i luftës sonë të drejtë dhe përkrahjes së aleatëve tanë strategjikë ndërkombëtarë.

Sipas tij, realizimi i synimeve tona për anëtarësim në NATO, BE dhe OKB është i pamundur pa përkrahjen e vazhdueshme të bashkësisë ndërkombëtare. “Kosova është e bekuar që gëzon mbështetjen e palëkundur të ShBA-ve dhe të popullit amerikan. Bashkëpunimi dhe miqësia jonë është e përhershme dhe reciproke. Mirëpo, ne duhet të dimë ta ruajmë dhe forcojmë këtë partneritet që kemi. Respekti dhe ndihma duhet të jenë reciproke dhe jo të njëanshme”, ka thënë Thaçi.

Ai ka shtuar se është detyrim i tij si president që t’i përgjigjet pozitivisht thirrjeve dhe kërkesave miqësore, që vijnë nga SHBA-të. “Një kërkesë e tillë miqësore, por në të njëjtën kohë shumë serioze, më është bërë drejtpërsëdrejti nga presidenti i ShBA, Donald Trump. Në këtë letër, presidenti Trump, ndër të tjera kërkon nga unë dhe liderët e Kosovës, që ta shfrytëzojmë këtë moment unik që të flasim me një zë, me qëllim të arritjes së marrëveshjes gjithëpërfshirëse me Serbinë”, ka deklaruar Thaçi.

Më poshtë po ju sjellim letrën e plotë të presidentit të ShBA-së, Donald Trump:

Shkëlqesisë së Tij
Hashim Thaçi
President i Republikës së Kosovës

I nderuar z. President:

Ishte kënaqësi të flisja me Ju në Paris gjatë shënimit të Ditës së Armëpushimit. Kosova është një partner vendimtar në përpjekjet tona për të garantuar paqen dhe stabilitetin për të gjithë Evropën. Unë i mirëpres përpjekjet tuaja aktuale për pajtim me Serbinë.
Dështimi për të përfituar nga kjo mundësi unike, do të ishte një kthim tragjik mbrapa, sepse një mundësi tjetër marrëveshje paqësore gjithëpërfshirëse, vështirë se do të mund të përsëritet për një kohë të gjatë.

Unë iu nxis Ju dhe liderët e Kosovës që ta shfrytëzoni këtë moment unik, të flisni me një zë të vetëm gjatë negociatave për paqe, dhe të përmbaheni nga veprimet të cilat mund ta vështirësojnë arritjen e marrëveshjes.

Shtetet e Bashkuara kanë investuar shumë për suksesin e Kosovës, si një shtet i pavarur dhe sovran. Ne duam që vendi i juaj të vazhdojë të zhvillohet.

Ne jemi të gatshëm që t’ ju ndihmojmë në përpjekjet tuaja për të arritur një marrëveshje, e cila reflekton në mënyrë të balancuar interesat e Kosovës dhe të Serbisë.

Një marrëveshje e tillë është e arritshme. Unë pres që në Shtëpinë e Bardhë t’ ju mirëpres Ju dhe Presidentin Aleksander Vuçiç, për të festuar atë që do jetë një marrëveshje historike.

Sinqerisht,Trumpi i shkruan letër Thaçit: Pres që në Shtëpinë e Bardhë ta festojmë marrëveshjen historike Kosovë-Serbi