Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj shtrëngoi këtë të martë, duart me banorët e zonës së Astirit, duke e futur çështjen e zgjerimit të Unazës së Madhe në rrugën e zgjidhjes.

 

Ai priti në një takim në sallën e Këshillit Bashkiak një përfaqësi të zgjeruar të banorëve të “Astirit”, të cilët preken nga projekti i Unazës së Madhe. Veliaj i falenderoi banorët që pranuan t’i hapin rrugë zbatimit të projektit, që do ta kthejë edhe këtë segment të Unazës në një rrugë, sipas të gjitha standardeve, duke çliruar në të njëjtën kohë edhe trafikun e makinave.

 

“Ky qytet e ka ndarë mendjen të zhvillohet dhe duhet të eci përpara. Arsyeja pse dua të falenderoj të gjithë miqtë e tjerë është se të paktën këtu nuk kemi ndarje, këtu kemi dakordësi maksimale që ky qytet do të zhvillohet, do eci përpara, do ndërtohet, do bëhen rrugë, do bëhen shkolla, do bëhen kopshte, do bëhen çerdhe, parqe dhe shpesh herë për këto punë do të duhet me hap rrugë të disa ndërtimeve, kjo nuk do as mend as kalem. Fakti që kemi stabilizuar këtë bazë dakordësie është një fillim i mirë”.

 

Ai theksoi se nga projektet që sjellin zhvillim në qytet nuk humbet askush.

 

“Këtu asnjë nuk do që të ketë të humbur dhe besoj që ekziston i gjithë mirëkuptimi, dashamirësia që të mos humbasë askush. Kur flas të mos humbasë askush dua t’i ndaj këto kategori. Kush është hallexhi, kush është pa lekë, kush është pa legalizim, si rasti i 2 familjeve që lëvizën mbrëmë; e pashë familjen e parë, do shkoj ta takoj prapë, kishin bo shtëpi me me një jetë shumë të vështirë, te kanali i ujërave të zeza. Brenda në shtëpinë që u prish mbrëmë, te dy të parat, ishte puseta e ujërave të zeza. Kishin vënë qilimin sipër, tavolinën sipër qilimit dhe jetonin mbi kapakun e ujërave të zeza. Sot janë te banesat sociale, por prapë më mirë që u prish ajo gjëja pa leje mbi kolektor dhe sot kanë një shtëpi të cilën mund ta mbajnë pafundësisht”.

 

Një nga banorët e zonës së “Astirit” vlerësoi kryebashkiakun Veliaj për gatishmërinë e tij për t’u ulur në bisedime me ta. Ukë Idrizi Çelkolaj nga Tropoja, teksa mori fjalën, u bëri thirrje banorëve të tjerë që të ulen të bisedojnë dhe të mos djegin goma e të bllokojnë rrugën sepse nuk është ajo zgjidhja e problemit të tyre.

 

“Nëse rrimë në dy llogore, ne aty që rrimë e protestojmë dhe shajmë këta, nuk zgjidhim kurrgjë, nëse nuk ulemi të qajmë hallin. Para dy ditëve ka qenë hera e parë që kam takuar Erion Veliajn në jetën time. Kam kujtuar se ky është Ufo, dhe njeriu më i keq i mundshëm në Shqipni, por sot takova një zotni. Takova një mik timin, se tek ajo toka kam investimet e gjithë jetës, e kam blerë atë tokën, e kam ndërtu me djersë. Erdha e takova këta, i dëgjova, ia thashë problemin. Më tha këtë tokën që do ta marrim këtu, do ta japim mbrapa. M’u duk sikur ma zgjidhi problemin. Ndaj them të flasim, jo të djegim goma e të bllokojmë rrugën.”

 

Ndërkaq, Veliaj theksoi edhe një herë se për të gjithë ata që s’kanë mundësi ekonomike Bashkia e Tiranës ka vendosur në dispozicion disa zgjidhje nga paketa e saj sociale, duke filluar që nga bonusi i qirasë e deri te strehimi në banesa sociale.

 

“Bonusi i qirasë ‘cash’ është 3 vjet, po edhe atë mund ta rrisim, po banesa sociale gjithë jetën. Do të thotë që jemi përgatitur që për të gjithë këtë kategori si dy shtëpitë që u prishën mbrëmë, si dy shtëpitë që u prishën sot në mëngjes, si dy shtëpitë që do të prishen tani në drekë që hyjnë te kategoria që as kishin bërë letra legalizimi, as kishin certifikatë pronësie, as kanë thjesht me fut kokën diku, sot e kanë fut kokën në një vend shumë më të mirë, me punonjëse sociale, me mensë sociale, me restorant, me të gjithë shërbimet që iu ofron në atë zonë”.

 

Veliaj u bëri edhe një premtim tjetër banorëve që banesat i kanë të regjistruara se përveç shpronësimit do t’u sigurohet edhe leje ndërtimi nëse ata kanë tokë tjetër për të ndërtuar.

 

“Ka një kategori të dytë që ka të bëjë me çështjen e shpronësimit dhe në pjesën më të madhe na rezulton që përveçse përfitojnë nga shpronësimi kanë edhe pjesë toke mbrapa. Kush ka tokë tjetër mbrapa të vetën, që nuk e prek fare gjurma, të vijë që nesër të aplikojë për ndërtim në bashki, koeficientet janë publikë, nuk është një gjë që po e bëjmë sot me presion. Ama nëse shpronësohesh do ta ketë te shpronësimi, nëse nuk shpronësohesh i gjithë territori që preket nga gjurma që është tokë jotja të quhet koeficient te ndërtimi që do të bësh vetë. Pra, në qoftë se ke këtë hapësirë, 30-40% ta zë rruga dhe 50-60% e ke tokën tënde që s’ta prek, atëherë të gjithë metrat që të takojnë në pallatin tënd apo në ndërtesën tënde të transferohen te kjo pjesë dhe krejt papritur nuk je më hallexhi, por je dikush që ke ndërtuar në vijë të parë të rrugës më të rëndësishme sot të Shqipërisë”.

 

Një arsye tjetër që ai falenderoi banorët që pranuan të bashkëpunojnë është edhe që ata u distancuan nga politika që kërkon ta shfrytëzojë këtë protestë për përfitime politike.

 

“Ka edhe një kategori tjetër që është një kategori që me thënë të drejtën unë nuk e ndihmoj dot, që është kategoria e politikanëve. Kategoria e atyre që duan të kandidojnë në listat e ardhshme, kategoria e atyre që nuk janë fare banorë aty, por që vijnë me autobusë për to. Janë një kategori që nuk i ndihmojë dot, ata kanë nevojë për ndihmë sociale, për këshillim, ata kanë nevojë për dashuri nga shoqëria, por këta s’janë banorë, dhe vijnë aty për sport, siç vijnë tek lodrat, siç vijnë tek teatri. Kush vjen deputet që deri dje ishte në Londër, që s’i ka prek këmba ndonjëherë tokë, që zbret nga “Range”, me puro, vjen dhe ngre gishtat lart që të kapë kandidimin prapë, pastaj shkon për haviar, vallaj kjo është që kategori që vjen aty për hallin e vet, nuk vjen për hallin tuaj”, nënvizoi kryebashkiaku.

 

Kryetari i Bashkisë siguroi banorët se ashtu siç bisedoi dhe ra dakord me ta, specialistë të Bashkisë së Tiranës do të vijojnë të bisedojnë edhe me banorë të tjerë për t’i sqaruar mbi mundësitë që kanë përpara.

 

“Nëse me këtë frymë i sqarojmë njerëzit dhe pastaj vijojmë me një seri takimesh, të hënën me këtë bllok, me arkitektët, me urbanistët, me inxhinierët; të martën në bllokun tjetër, dhe në qoftë se të gjithë njerëzit sqarohen, siç jemi sqaruar këto ditë me njerëzillik, do të gjejmë gjuhën e përbashkët. Ambicia jonë për këtë qytet është që asnjë të mos jetë i humbur. Politikanët që s’dinë me bo atë që duhet le të humbasin, por nga populli asnjë s’duhet të jetë i humbur. Kështu që gjeni sot një formulë dhe një bashkëpunim për të mos humbur asnjeri. Kush ka nevojë për banesa sociale, kush ka nevojë për lekët për shpronësim, kush ka pronë dhe do ta zhvillojë bujrum në Bashkinë e Tiranës”.