Këtë sezon të “Portokallli”  aktori Gaz Paja  imiton këngëtarin  sipas mënyrës së tij humoristike.

Mirëpo ashtu siç është shprehur edhe më herët,  këngëtari Ylli Baka duket se nuk e ka mirëpritur imitimin e Gazit duke e cilësuar qesharak.

Së fundmi, në një intervistë për “Panorama Plus” këngëtari është shprehur se aktori nuk di ta imitojë mirë dhe disa batuta apo qëndrime nuk janë të tijat.

“Ai del nga karakteri im. Di të them që roli i tij sa vjen dhe bëhet më popullor, aq sa njerëzit më pyesin: ‘Çfarë bëhet me Gazin, kur do e bëni atë këngën bashkë?’ Ata mendojnë se ky rol është një aleancë mes nesh, por e vërteta qëndron ndryshe. Fjala “pasha” s’është e imja, as “shoku”, pasi s’e përdorim fare ne nga Jugu. Unë përdor “o vëlla” ose “gjigant”, “o flori”. Sa për dialektin, ai flet pak si gjirokastrit, ndërsa kur këndon më imiton në mënyrë perfekte. Kështu që mendoj se mund të ketë një miksim aty brenda me ndonjë këngëtar tjetër që vetëm ai e di. Sa për rrëfimet, ato janë lustrat që ai i jep rolit” – shprehet Ylli Baka.

I pyetur nëse ai dhe familja e tij janë indinjuar nga ky imitim, Baka u shpreh se bashkëshortja e kishte pritur më me sportivitet imitimin e Gazit, por fëmijët janë irrituar duke qenë se janë edhe adoleshentë.

“Do i thosha Gazit disa vërejtje. Së pari, sa i takon veshjes, unë s’para këndoj i veshur sportiv, pasi mbaj kostum dhe kravatë. Kështu i them të ndërrojë stilin, pasi ato pantallonat me shkëlqim s’janë të miat. Në fillim u mërzita dhe njerëzve të mi s’u ka pëlqyer. Por kuptohet se Gazi nuk e ka bërë me dashakeqësi, pra, nuk ka inat apo me synimin për të më prishur imazhin. Nuk e di si e shohin të tjerët, se ka nga ata që e shohin shumë ndryshe. Fëmijët nuk e pritën mirë, se janë në shkollë, adoleshentë dhe irritohen. Ndërsa bashkëshortja e priti më me sportivitet”-ka thënë ai.

“Unë jam unik në zë dhe në karakterin që kam. Por Gazi nuk është imituesi më i mirë që kam. Ju nuk e dini, por mua më imitojnë shumë persona të tjerë nëpër Shqipëri. Mund të jenë 30-40 djem në Jug, që më imitojnë fiks fare që nga mënyra si vishem, si i mbaj flokët, si këndoj dhe Gazi as u afrohet dot atyre. Ata janë 100 për qind si unë, madje më imitojnë edhe lëvizjen e këmbës që e mbaj pak me siklet, pasojë e një aksidenti që kam pësuar para disa vitesh në Greqi” – shtoi më tej këngëtari.

“Mund të them se ishte pa lejen time ky rol. Më erdhi i papritur, pasi s’isha mësuar me këto gjëra. E telefonova ditën tjetër të më shpjegonte se nuk është ndonjë gjë e keqe. Dhe pas asaj nuk kemi folur. Përgjithësisht, dashamirësit dhe njerëzit e mi nuk e morën mirë rolin e Gazit. Unë vetë e kam telefonuar dy ditë pasi u ktheva nga jashtë dhe u përpoq të më sqaronte se nuk është ndonjë gjë e keqe ky imitim. I kam kërkuar më pas të takohemi për një kafe, por deri tani s’jemi përballur ende” – përfundoi Ylli.